Në Morinë vazhdon të jetë fluksi i lartë i kosovarëve

Në Doganën e Morinës që është porta kryesore e lidhjes mes Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të ketë një fluks të ngjeshur të lëvizjes së personave dhe mjeteve.

Pikun e lëvizjes e shënon fundjava kur kryesisht shqiptarët e Kosovës por edhe shtetas të tjerë, shfrytëzojnë periudhën e mbetur të verës për të pushuar në plazhet e Jonit apo Adriatikut.

Udhëtarët shprehen të kënaqur me procedurat e kalimit të kufirit si dhe me infrastrukturën rrugore dhe atë turistike, transmeton atsh.

Nga ana tjetër nuk hezitojnë të thonë se plazhet e Shqipërisë mund të përmirësohen edhe më shumë në aspektin e pastërtisë etj.

Për të përballuar fluksin e madh të lëvizjes, në doganën e Morinës punojnë 7 sportele me procedurë të përshpejtuar, shpesh duke shënuar vetëm targën e automjeteve si dhe numrin e personave.

Udhëtimi në Rrugën e kombit në shumë segmente ngadalësohet prej devijimeve të panumërta për shkak të punimeve në ura dhe mbikalime etj, ndërsa në afërsi të Fushe-Krujës trafiku shndërrohet në stres dhe lodhje për udhëtarët. Aty krijohet hinkë dhe i vonon udhëtarët deri në 2 orë në pritje.

loading…