Foto

Në ‘Met Gala 2024’ ishte edhe Mira Murati, shqiptarja revolucionare e OpenAI shkëlqeu e veshur me një fustan “Dior”

Ndërsa shumë yje të njohura shqiptare si Rita Ora dhe Dua Lipa janë përfolur gjithmonë për paraqitjet e tyre në Met Gala, ky vit shënoi edhe pjesëmarrjen e një tjetër shqiptareje me famë ndërkombëtare, Mira Murati, duke u shndërruar në një simbol dinamik të teknologjisë dhe modës në skenën botërore.

Në mbrëmjen glamuroze të Met Gala 2024, Mira Murati, Drejtoresha Teknike e OpenAI, u shfaq në të kuqe me një fustan të jashtëzakonshëm nga koleksionet e vjetra të “Christian Dior”.

Fustani “Athena” i vitit 1951, një kryevepër e dizajnuar nga vetë Monsieur Dior, u zgjodh personalisht nga Murati për të reflektuar ndërthurjen e saj të traditës me inovacionin – një festë e kulturës së përjetshme së ‘haute couture’ me një ndjesi teknologjike të zgjuar.

Mira Murati në Met Gala 2024 (Foto: Tab Vintage/Instagram)

OpenAI, ku Murati luan një rol kyç si CTO, në fakt ka bashkëpunuar me Muzuen Metropolitan të Artit në New York (vendi ku edhe mbahet Met Gala) për të sjellë inovacionin e AI në ekspozitën e Institutit të Kostumit për këtë pranverë me temë “Sleeping Beauties: Reawakening Fashion”.

Ata kanë krijuar një chatbot të personalizuar, i ndërtuar mbi bazën e GPT-4, që imiton një bisedë me Natalie Potter. Vizitorët do të kenë mundësinë të interagojnë me historinë e saj përmes tekstit, ndërsa shohin fustanin e saj të dasmës sirenë prej sateni në ekspozitë.

Mira Murati në Met Gala 2024 (Foto: Tab Vintage/Instagram)

Në gala, Murati shkëlqeu në fustanin “Athena” të Haute Couture F/W 1951 në një ngjyrë “shocking pink”, të cilin e kishte blerë nga Tab Vintage. Fustani u stilua nga Turner Turner dhe pati ndërhyrje stilistike nga Carol Ai studio, ndërsa për bizhuteritë zgjodhi shtëpinë e njohur Tiffanyandco.

Mira Murati në Met Gala 2024 (Foto: Tab Vintage/Instagram)

Kostumi i saj ishte një tribut për koleksionin e Dior të vitit 1951, i njohur si “Ligne Longue” (Linja e Gjatë). Kjo paraqiste një evolucion në punën e Dior, i frymëzuar nga Greqia e Lashtë dhe madje bëri fotosesionin editorial për këtë koleksion në Akropol.

Në biografinë e tij, Dior shkruan se koleksioni “Long line” ishte i preferuari i tij, duke sjellë një siluetë me proporcione të reja, nga kapelet deri te këpucët, duke përqendruar vëmendjen në bustin e drapuar nga i cili linjat divergjente të qepjeve ose të dartave nxirrnin trupin në një elegancë dhe fortesë maksimale. /Telegrafi/

Mira Murati në Met Gala 2024 (Foto: Tab Vintage/Instagram)