Gylenizmi

Në mesin e 20 personave të parë që intervistohen për rastin e gylenistëve, është edhe Presidenti Thaçi

Komisioni Hetimor parlamentar për Gylenistët, do të intervistojë sot Kryeshefen e Inspektoriatit Policor, Miradije Kelmendin, lidhur me deportimin e gjashtë gylënistëve. Kryetari i këtij Komisioni ka thënë për Express se do të intervistohen edhe 20 persona të tjerë që janë në krye të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Presidentin Hashim Thaçi.

Mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar për Gylenistës, fillon sot në orën 13:00, ku do të nis me intervistimin e kryeshefes së Inspektoriatit Policor, Miradije Kelmendi.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Express, Kryetari i Komisionit, Xhelal Sveçla.

“Intervistimet fillestare përfshijnë 20 persona, përfshirë këtu edhe Presidentin Hashim ThaçI për rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa, kryeshefja e IPK’së do të raportojë sot në Komision për të gjitha informatat që ka në lidhje me deportimin e gjashtë gylenistëve nga Kosovë për në Turqi, që ndodhi para 6 muajve.

Por, para gjashtë muajve, në krye të Inspektoriatit, atëherë kur edhe ndodhi deportimi, ishte Hilmi Mehmeti. Më 8 gusht, Miradije Kelmendi më pas u emërua në krye të Inspektoriatit, shkruan Gazeta Express.

Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.

Gjashtë gylenistët nga Kosova u dërguan në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it me Agjencinë Inteligjente të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas deportimit të gylenistëve në Turqi, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe urdhëroi shkarkimin e shefit të AKI-së, Driton Gashi.

Por, familjet e gylenistëve që u deportuan, u deklaruan se ndjehen të rrezikuar në Kosovë, për faktin se çdo moment mund të kidnapohen dhe t’i dërgohen shtetit turk.