Në marshin për të mbijetuarat e dhunës seksuale kërkohet dorëheqja e Brovinës

Organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë organizuar marsh protestues për t’i mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Marshi ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe ka vazhduar tek sheshi “Skënderbeu”.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e ka dënuar publikimin e fotografisë së rrejshme nga deputetja Flora Brovina, që pretendohej dhunimi i një gruaje shqiptare nga forcat serbe.

“Jemi mbledhur këtu për të shprehur shqetësimin e thellë ndaj publikimit të fotografisë në Kuvendin e Kosovës”.

“Tani i mbetet Kuvendit që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Nuk do të lejojmë që me publikimin e një fotografie të përmbyset e gjithë puna e mundimshme që kemi bërë”.

Pas prononcimeve që kanë dhënë përfaqësuesit e organizatave për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, protestuesit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e deputetes Flora Brovina.

Pjesë e këtij marshi ka qenë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell.