Në mars e prill do të ngriten aktakuzat e para për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prokurorja e Prokurorisë Speciale në Departamentin e Krimeve të Luftës, Drita Hajdari, ka deklaruar se gjatë muajve në vijim do të ngritën aktakuzat e para me gjykimin në mungesë të kryesit të veprës, sa i përket dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Hajdari ka bërë të ditur se për katër raste ndaj katër personave do të ngritët aktakuzë në mungesë.

“Gjatë muajit mars, prill do t’i kemi aktakuzat e para në mungesë. Janë në pyetje katër raste për dhunë seksuale, për të cilat do të ngrihet aktakuzë në mungesë të kryesit. Kemi përgatitur-plotësuar kushtet ligjore për këtë, së fundmi këta persona janë shpallur në kërkim në Gazetën Zyrtare të Kosovës dhe pas skadimit të këtij afati plotësohen kushtet për ngritjen e aktakuzave në mungesë”, ka deklaruar ajo në emisionin “Herët” në Tëvë1.

Përveç dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka bërë të ditur se ka edhe raste të tjera të krimeve të luftës, të cilat janë në pritje të plotësimit të kritereve ligjore për aktakuza.

Ajo ka shtuar se tema e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk është temë vetëm e prokurorisë, por edhe e shoqërisë në tërësi, pasi që viktimat sipas saj duhet të inkurajohen të raportojnë rastin qoftë në polici, qoftë në prokurori.