Rrëfimi i historisë

Në Lugano me Rugovën, Xhavit Haliti: Ndejtëm tre ditë e tre netë, më tha unë s’i dal kundër luftës

Në rrëfimin për emisionin Pressing, Xhavit Haliti ka treguar çfarë i kishte thënë ish-presidenti Ibrahim Rugova në një rast, kur e kishte pasur rastin të rrinë së bashku për tre ditë e tre netë në Lugano të Zvicrës.

Haliti ka thënë se Rugovën e konsideron mik të tijin, por ka thënë se në aspektin organizativ nuk është pajtuar asnjëherë me të. Ai ka kujtuar edhe fjalët e tij, kur i kishte thënë  që s’do ta pengojë e as të dalë kundër luftës së armatosur.

“Me Rugovën njëherë kemi ndejtë tre dite e tre natë bashkë në Lugano dhe jemi takuar pastaj prapë disa herë. Rugovën e njoh si mik timin, por organizativisht s’jam pajtu kurrë me të. Na kemi qenë për me lëvizë puna. Përgjigja e tij ka qenë shiqo nuk është mirë me thënë  që ke folë për çështje lufte, por unë s’ju pengoj. Unë s’dal kundër publikisht, por s’dua ta lë rrugën time”, ka rrëfyer Haliti për takimin me Rugovën në vitet ’90.

Haliti ka folur po ashtu edhe për trajnimin e forcave të armatosura në Shqipëri, që kishin filluar në vitin 1991. Ai është pyetur se kush i kishte dërguar këto trupa për trajnime, UÇK-ja apo LDK-ja, por nuk ka dhënë një përgjigje definitive.

“Grupet e para kanë shkuar në vitin ’91. Kush i ka çu… shiqo LPK-ja nuk ka çu njerëz në dasëm. LPK-ja ka vepruar ndryshe”, ka thënë Haliti.

Haliti, si veprimtar i hershëm, ka treguar se si ishte takuar shpeshherë edhe me ish-presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Ka thënë se presidencën shqiptare e kishte si shtëpinë e tij.

“Në atë kohë kemi pasur takime me Ramiz Alinë… aty e kam pasur si në shtëpi timen”, ka thënë Haliti.