Në Kroaci, 66 euro për vënie të parregullt të maskës, 132 euro për ndejë në shtëpi

Qeveria e Kroacisë ka prezantuar masa të reja kufizuese të hënën, në tentim për të ndalur numrin e të infektuarve me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Vili Berosh, ka prezantuar si masë të re gjobën për mosmbajtje të maskës apo për vënie të maskës në mënyrë të parregullt.

Ky propozim është votuar nga Qeveria kroate. Gjoba për maskë do të jetë 500 kuna kroate apo 66 euro.

Po ashtu, si masë ndëshkuese është prezantuar edhe gjoba për organizimet e ndejave nëpër shtëpi me mbi 10 persona. Për këtë, gjoba është caktuar 1.000 kuna (132 euro), njoftoi Index.hr.

Janë votuar edhe disa pako të ndihmës për qytetarët dhe bizneset.

Kroacia së fundi po përballet me numër të madh të të prekurve me COVID-19.

Të hënën është raportuar se në këtë vend kanë vdekur 74 pacientë si pasojë e COVID-19, ndërkohë që janë shënuar edhe 1830 raste të reja pozitive.

Nga fillimi i pandemisë, në Kroaci janë shënuar 128.442 raste me COVID-19, derisa kanë vdekur 1.786 pacientë.