Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryeministri Albin Kurti flisnin me krenari për uljen e rasteve të reja të infektimit me Covid-19, duke thënë se e kanë menaxhuar suksesshëm pandeminë.

Por, jo shumë ditë më vonë rastet e reja me koronavirus kanë shënuar ngritje alarmante, teksa nuk ka ende ndonjë reagim nga ministri Vitia apo kryeministri Kurti.

Përkundrazi, edhe pse gjatë javës së fundit ka pasur ngritje të numrit të rasteve, ministri Vitia është parë duke marrë pjesë në ahengje e duke shijuar jetën e natës në Prishtinë.

Në disa foto të publikuara ditë më parë, ministri Arben Vitia shihej duke vallëzuar në një aheng ku duke kënduar ishte Afrim Muqiqi.

Ky veprim i ministrit nuk ishte pritur mirë nga deputetët opozitarë, të cilët i kanë kërkuar që të fokusohet në procesin e vaksinimit të qytetarëve, pasi që vendi po rrezikohet nga një valë e re e pandemisë.

Vitia nuk ishte ndalur me kaq, pasi që disa ditë më vonë është parë duke shijuar jetën e natës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në organizimin e Komunës së Prishtinës, “Akull n’Verë”.

Në ndërkohë, vetëm gjatë dy ditëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 1 mijë e 450 raste të reja me Covid-19.

Ende nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë përsëri masat kufizuese në mënyrë që të parandalojë përhapjen e virusit, duke marrë parasysh se tashmë është konfirmuar edhe prezenca e variantit “Delta” në Kosovë.