Në Kosovë me HIV/AIDS është i prekur edhe një fëmijë

Me një mori aktivitetesh edhe në Kosovë po shënohet Dita ndërkombëtare kundër sëmundjes HIV/AIDS.

Kosova nuk ka shumë të prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse, por që institucionet përgjegjëse apelojnë në kujdes të shtuar për masa parandaluese.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani ka treguar për rastet që janë paraqitur me HIV/AIDS në mesin e tyre ka pasur edhe të vdekur

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së në vazhdimësi kemi trajtuar raste me HIV/AIDS, ndërkaq nga viti 2007 me terapi specifike HIV/AIDS. Deri tani ne kemi pranuar per mjekim 33 raste, në mesin e tyre dhe një fëmijë. Ndërsa janë edhe tri raste si të ndyshuara per mjekim në observim. Terapia është e rregullt dhe pa para e siguruar nga Ministria e Shëndetësisë. Një rast ketë vit ka vdekur nga kjo semundje e rendë, ndërsa kemi një ekip mjekësor mirë të përgatitur profesionalisht dhe të cilët edhe marrin pjesë në Konferenca Ndërkombëtare për ketë fushë. Apekti i diagnostifikimit është i sigurt dhe si nga ana klinike analiza, laboratorët dhe epidemiologjike janë në nivel rajonal dhe më gjerë. Klinika jonë ka përvojë në këtë trajtim dhe poashtu dhe kapacitete të nevojshme. Ne kemi personel mjekësj dhe infermierësh të mjaftueshëm, si dhe infrastrukurën më moderne në rajon, me dhomë të veçanta dhe kushte të mira punës. Aspekti i prevalencës dhe incidencës së sëmundjes epidemike është në vend tonë e ulët, por kjo s’do të thotë se s’duhet të jemi vigjilent me promovime në media, edukime, njohje dhe qasje serioze në këtë drejtim”, tha Ramadani për Ballkani.info.

Ballkani.info ka kontaktuar edhe me koordinatorin e Qendrës për testim vullnetar për HIV/AIDS, Izet Sadiku i cili tha se numri i të prekurëve në Kosovë është shumë i vogël.

Ai poashtu apeloi se përkundër kësaj duhet të kemi kujdes sepse sëmundja mund të përhapet.

“Në Kosovë nuk ka shumë të prekur nga kjo sëmundje, por duhet të kemi kujdes, sepse edhe ne jemi të rrezikuar sidomos në vitet e fundit. Në Kosovë marrin terapi 30 persona. Këtë vit janë identifikuar edhe pesë raste të reja – ata marrin terapitë e tyre”, tha Sadiku.

Fushatat kundër HIV/AIDS janë aktuale në gjithë botën pasi që kjo sëmundje ka marrë përmasa globale. /Ballkani.info/