Në konferencën para apelit për Gucatin e Haradinajn, diskutohet për paraburgimin dhe përkthimin e aktgjykimit

Në konferencën para apelit për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, të martën është diskutuar për paraburgimin dhe përkthimin e aktgjykimit.

Në fillim, u bë e ditur se në gjykatore gjendet Nasim Haradinaj, ndërkaq për Hysni Gucatin u bë e ditur se ka hequr dorë nga pjesëmarrja në këtë konferencë.

Avokatit i Gucatit, Jonathan Elystan Reese ka thënë se kanë parashtruar një përgjigje lidhur me kërkesën e prokurorisë sa i takon mbajtjes në paraburgim dhe nuk ka asgjë për të shtuar.

“E vetmja gjë që duam të zgjidhet për seancën e sotme është përditësim që ka të bëjë me shëndetin e Gucatit”, ka thënë ai, e më pas u kalua në seancë private gjatë diskutimit për shëndetin e Gucatit.

Toby Cadman, avokat i Haradinajt, ka thënë se nuk kanë ndonjë gjë shtesë sa i përket paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

Prokurori Matthew Howling ka deklaruar se avokati Reese tha që kërkohet një përgjigje sa i takon parashtrimit të protokolluar PF 10 e se për sa i takon mbajtjes në paraburgim të të akuzuarit nuk ka një përgjigje të tillë në dosjen e çështjes dhe nuk gjejnë asnjë mangësi lidhur me numrat e parashtrimeve të protokolluara që u bënë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, avokati Reese tha se shpreson se gjykatësja ka lexuar përgjigjen.

“Jo, nuk e kam parë përgjigjen, nuk e di nëse mund të pyes, a e kemi përgjigjen? Jo. S i është dërguar me e-mail apo postë”, ka thënë kryetarja e panelit, Michele Picard.

Ndërkaq, avokati Reese tha se është dërguar me anë të e-mailit përmes njësisë për menaxhimin e qendrës se paraburgimit pasi ranë dakord për këtë pasi kishin vështirësi për ta dërguar këtë parashtrim të protokolluar.

“Ne e kemi dërguar në këtë mënyrë, besoj se jeni të informuar për problemet që ka pasur sistemi Legal Work Flow, fola me zotin Ahmed, ramë dakord me të përmes e-mailit dhe ai më tha që ai do të sigurohej që CMU do të përgjigjej përmes kësaj mënyre. E njëjta rrugë është përdorur edhe për parashtrimin për njoftimin e apelit sepse sërish kishte mangësi, kishte probleme me sistemin Legal Work Flow. Çështja është parashtruar brenda kohës së parashikuar”, ka thënë Reese.

Ndërkaq, gjykatësja tha se do të kontrollojnë nëse mund ta marrin këtë nga njësia e menaxhimit.

“Ne vumë re që neni 46 (8) i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar parashikon që në qoftë se në parashtrim të rasteve kur Gjykata e Apelit urdhëron ndryshe, personi i dënuar mbetet në ndalim në pritje të vendimit të Apelit dhe përderisa nuk është marrë një vendim nga Gjykata e Apelit, pikëpamja jonë ishte që kërkesa e prokurorisë nuk ishte as e nevojshme dhe në fakt as nuk kërkonte ndonjë përjashtim dhe si rezultat ne nuk dhamë një përgjigje materiale lidhur me të”, ka thënë Reese.

Tutje, ai tha se ajo çka bënë siç tha edhe avokati Cadman për klientin e tij është që iu drejtuan nenit 46 (8) për lirim dhe iu referuan kësaj të drejte të tyre referuar në nenin 46 (8).

Kurse, gjykatësja tha se do të marrin vendim për këtë kur të vije koha.

Lidhur me progresin e bërë me përkthimin e aktgjykimit në gjuhën shqipe, u deklarua zyrtari nga zyra administrative e gjykatës.

“Sa i takon përkthimit të aktgjykimit në shqip përkthimi është realizuar në tre faza, së pari përkthimi i parashikuar pa poshtëshënimet do të përfundojë më 20 qershor, pasi më datë 4 korrik do të jepet versioni i përkthyer së bashku me poshtëshënimet por i parashikuar, më 15 gusht do të jepet versioni përfundimtar i aktgjykimit i rishikuar pra së bashku me poshtëshënimet”, tha ai.

Sipas tij, dy afatet e para janë respektuar, pra versioni i parë është ngarkuar në sistemin Legal Work Flow më 20 qershor.

“Ndërkohë përkthimi i dytë i parashikuar është mbaruar disa ditë më përpara dhe është ngarkuar në sistem më datë 27 qershor, ndërkohë që punohet tashmë për të dhënë versionin përfundimtar të datës 15 gusht”, tha Reese.

Gjykatësja Michele Picard tha se rikujton se në pajtim me rregullën 72 (3), përveç nëse paneli vendos ndryshe, apelimet trajtohen në mënyrë të përshpejtuar në bazë të dosjes së çështjes.

“Vendimet mbi apelimet e tilla mund të merren tërësisht në bazë të parashtrimeve me shkrim. Pra mund të bëhet edhe me shkrim megjithatë do ta vendosim, nuk është vendosur akoma në varësi të kërkesës nëse dëshiron kërkesë gojore apo jo”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.