Në këtë gjykatë sot u anuluan 22 seanca gjyqësore

Puna në gjykatat e Kosovës është reduktuar dukshëm për shkak të vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, konfirmoi për Gazetën Express së në këtë gjykatë sot janë shtyer 22 seanca gjyqësore.

“Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë shtyrë 14 seanca gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec është shtyer 1 seancë gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë janë shtyrë 7 seanca gjyqësore”, tha Muqaj për Gazetën Express.

Tutje, Muqaj tha se Gjykata Themelore në Gjakovë, është duke u respektuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku janë listuar shërbimet esenciale që do të kryhen nga Gjykatat e Kosovës nga sot 24 nëntor 2022 deri më 08 dhjetor 2022 si në vijim:

1. Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore;

2. Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme;

3. Ekzekutimi i vendimeve penale;

4. Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);

5. Çështjet e sigurimit të kërkesë padisë (të gjitha fushat);

6. Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi I fëmijës;

7. Procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat);

8. Të gjitha shërbimet administrative.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, gjatë një konference për media mbrëmë ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim të pezullojë bashkëpunimin me Qeverinë dhe të reduktohet puna e gjykatave.

Qeveria Kurti në mbledhjen e djeshme ka shfuqizuar vendimin e vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Ky vendim ka nxitur shumë reagime dhe është kundërshtuar.

Njohësit e drejtësisë, vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve po e shohin si të kundërligjshëm dhe si diçka që mund t’i hapë mundësi korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë ditës ka ftuar prokurorët e gjyqtarët që të vazhdojnë punën dhe të mos veprojnë për interesa personale. Sipas saj, vendimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë antiligjor.