Në kampanjën “Bashkë kundër COVID-19”, Zemaj: Respektoni masat, vaksina do të vjen shumë shpejt

Me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për zbatimin e masave anti-COVID, si dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit, sot Ministria e Shëndetësisë ka lansuar kampanjën “Bashkë Kundër COVID-19”, ku edhe njëherë u tha se shpejt në Kosovë do nis vaksinimi i qytetarëve kundër kësaj pandemie.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se përmes kësaj fushate dërgohen mesazhe të qarta për zbatim të masave anti-COVID. Po ashtu, me këtë kampanjë synohet të rritet niveli i vetëdijes së qytetarëve për vaksinimin, i cili siç tha ai pritet të nis së shpejti në Kosovë.

“Lansimi i një fushate me mesazhe të qarta që bënë thirrje për zbatim të masave në fuqi dhe përgatitjen për fazat e mëtejme të kontrollit dhe luftimit të pandemisë, është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të vazhduar me aktivitetet që synim primar ka mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës sonë me fokus parandalimin apo shkëputjen e zinxhirit të përhapjes së mëtejmë të infeksionit…. Fushata ‘Bashkë Kundër COVID-19’ është një dëshmi e këtij përkushtimi dhe ne besojmë që ajo do ketë ndikim në uljen e numrit të infeksioneve me COVID, përmes ngritjes së vetëdijes për masat në fuqi higjiena, bartja e maskës dhe distancës. Gjithashtu, do ngris nivelin e njohurive të popullatës sonë për rëndësinë e vaksinimit kundër COVID-19 që pritet të filloj shumë shpejt edhe në vendin tonë“, theksoi Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se përmes kësaj kampanja po synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës për zbatimin e masave anti-COVID.

Ai po ashtu deklaroi se me fushatën “Bashkë Kundër COVID-19”, ka për qëllim edhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër kësaj pandemie.

“Në vazhdën e këtyre aktiviteteve për parandalimin e përhapjes së COVID-19 fillojmë këtë fushatë gjegjësisht lansimin e kampanjës “Bashkë Kundër COVID-19”, në mënyrë që të bëjmë informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mirëmbajtje dhe forcim të zbatimit të masave parandaluese dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 e cila do filloj së shpejti….Fushata ka për synim që të rris dhe forcoj më tutje vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës dhe parandalimin e COVID-19 dhe zbatimin e masave të domosdoshme mbrojtëse, personale dhe institucionale të cilat luajnë shëndetin publik dhe shpëtojnë jetët. Fushata synon të përkrah edhe institucionet qendrore dhe lokal në përballimin e sfidave të shumta lidhur me pandeminë dhe bashkëjetesën me virusin në një normalitetit”, tha ai.

Koordinatorja për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se tash e sa kohë virusi ka nxjerr në pah dobësitë që i kemi dhe ku duhet të punohet.

Sipas saj, tashmë është një fazë kritike dhe nuk është koha për t’u çlodhur, pasi sistemi shëndetësor është i lodhur dhe respektimi i masave anti-COVID është tejet i rëndësishëm.

“Jemi në një fazë shumë kritike, ku të gjithë jemi të lodhur dhe kemi shpresë se vaksina do të vijë. Pra, ne kemi një tendencë siç bëjnë njerëzit për t’u çlodhur pak, por nuk është koha për t’u çlodhur deri në atë mënyrë që të mos mund të parandalojmë virusin dhe mbrojmë veten dhe njëri-tjetrin, sepse tani është më e rëndësishme se kurrë që të mos rrisim përhapjen të virusit sepse sistemi i Kujdesit Shëndetësor është i lodhur. Po, është më mirë i përgatitur tani, ne kemi më shumë kapacitete testuese, gjithashtu si rezultat i këtij projekti kemi le të themi më shumë njohuri, kemi më shumë pajisje, por jemi të lodhur. Pra, është më e rëndësishme se kurrë që të vazhdojmë me këto masa, duke mbajtur maskë, duke larë duart dhe duke mbajtur distancën”, tha ajo.

Fushata “Bashkë Kundër COVID-19”, financohet nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ministrinë e Shëndetësisë, IKSHP-në dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në 24 orëshin e fundit pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 591 raste, ndërsa janë raportuar 7 raste të vdekjes si pasojë e infekimit me SARS CoV-2. Ndërsa, Kosova është I vetmi vend në rajon I cili nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër pandemisë.