Në goditje për Trumpin, gjykata e rrëzon padinë për votat e Pennsylvanias

Teksa betejat e tij ligjore ndaj rezultateve të zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk gjeneruan ndonjë rezultat, Trumpi ka thënë gjatë së premtes se është i gatshëm të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Bidenin gjatë takimit të 14 dhjetorit. Ky është sinjali më i qartë deri më tani se ai do t’i bindet rezultatit

Një gjykatë federale e Apelit ka refuzuar të premten tentimin e fushatës së Donald Trumpit për ta bllokuar shpalljen fitues të presidentit të zgjedhur Joe Biden në Pennsylvania, duke i dhënë një tjetër goditje synimit të presidentit në largim për kontestimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Pennsylvania ka certifikuar gjatë këtij muaji fitoren e Bidenit, i cili mori në këtë shtet mbi 80.000 vota popullore më shumë sesa Trumpi.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë shpirti i demokracisë sonë. Akuzat për padrejtësi janë serioze. Por, t’i quash zgjedhjet të padrejta nuk e përbën shpirtin demokratik”, ka shkruar gjykatësi Stephanos Bibas, në emër të panelit gjyqësor treanëtarësh. “Akuzat e tilla kërkojnë pretendime specifike dhe pastaj edhe dëshmi. Ne nuk e kemi asnjërën”, ka shkruar Bibasi, i cili ishte nominuar në këtë post nga vetë Trumpi.

Sipas ligjeve të Pennsylvanias, kandidati që e fiton votën popullore në këtë shtet i merr të 20-të votat elektorale.

Republikani Trump ka refuzuar ta pranojë fitoren e rivalit demokrat dhe ka vazhduar të pretendojë, pa ofruar dëshmi, se procesi zgjedhor është përshkuar nga mashtrimet. Por, teksa betejat e tij ligjore nuk gjeneruan ndonjë rezultat, Trumpi ka thënë gjatë së premtes se është i gatshëm të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Bidenin gjatë takimit të 14 dhjetorit. Ky është sinjali më i qartë deri më tani se ai do t’i bindet rezultatit zgjedhor.

Administrata Trump i ka hapur rrugë të hënën transicionit të Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë atij qasje në konferencat e rregullta dhe fondet presidenciale, ani pse ka vazhduar që ta kontestojë ligjërisht rezultatin zgjedhor. Bideni ka fituar zgjedhjet me 306 vota elektorale, kundrejt Trumpit që fitoi 232 vota elektorale, përfshirë 20 të shtetit të Pennsylvanias. Edhe në rast të rrëzimit të rezultateve në Pennsylvania, për ta fituar betejën zgjedhore, Trumpit do t’i nevojitej sprapsja e rezultateve edhe në të paktën dy shtete të tjera.