Në fshatin Vrapçiq të Gjilanit kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 11 anëtarë të një familjeje. Së fundi dy anëtarë të kësaj familjeje janë shëruar. Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se dy vajzat e familjes që kanë qenë bartëse të virusit janë shëruar nga koronavirusi.

Deri më tani në Kosovë janë 165 raste pozitive me koronavirus. Nga ky numër 17 persona janë nga komuna e Gjilanit, 3 nga të cilët tanimë janë shëruar.

Dy persona nga ky qytet janë të karantinuar në Qendrën e Studentëve të cilët kanë ardhur së fundi nga shtetet evropiane.

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka deklaruar se dy vajzat e familjes 11-anëtarëshe në fshatin Vrapçiq të kësaj komune që kanë qenë bartëset e para të virusit, tashmë janë shëruar.

“Anëtarët e familjes së infektuar janë me shëndet stabil. Dy vajzat e familjes që kanë qenë barteset e para të virusit janë liruar në shtëpi me test negativ dhe po furnizohen vazhdimisht nga komuna me pako ushqimore, medikamente dhe gjendja momentale sipas mjekëve është stabile”, i ka thënë nënkryetari i Gjilanit  të martën.

Ismajli, po ashtu, ka thënë se raste të reja pozitive me koronavirus në Gjilan nuk ka dhe 3 persona nga 17 rastet në këtë komunë janë shëruar.

“Raste të reja në komunën tonë nuk kemi, mosha më e prekur nga virusi është mosha e mesme, nga 17 rastet dy janë në Qendrën e Studentëve, ndërsa nga ky numër 3 persona janë të shëruar tashmë”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë vizituar sot qytetin e Gjilanit për të parë nga afër se si po menaxhohet situata me pandeminë e koronavirusit.

Nga 165 rastet pozitive me Covid-19, 24 persona janë shëruar dhe tre persona kanë vdekur.

Drejtori i Instituti të Shëndetit Publik të Kosovë, Naser Ramadani, ka ngritur edhe një herë alarmin për shpërthimin e pandemisë që mund të ndodhë në Kosovë në ditët e ardhshme në rast se qytetarët nuk u përmbahen udhëzimeve.

Gjatë së hënës Policia e Kosovës ka arrestuar 85 persona për veprën “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Sipas njoftimit, vetëm në Prishtinë janë arrestuar 67 persona për shkelje të vendimit të qeverisë.