Në Gjilan, klasat 1-9 pritet të vijojnë mësimin në objekte shkollore

Komuna e Gjilanit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se i ka kryer të gjitha përgatitjet për kthimin e nxënësve në objektet shkollore, në shtator.

Dhe, në këtë komunë po synohet që nxënësit nga klasa një deri në të nëntën të vijojnë mësimin në objekte shkollore, kurse më të rriturit një javë bë shkollë e një javë online.

Konfirmimi ka ardhur të martën gjatë takimit të të parit të Komunës, Lutfi Haziri, me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Gjilanit.

“Duhet t’i kthejmë fëmijët në shkolla. Nuk është e lehtë në këtë kohë pandemie për shkak se lëvizin një numër i madh i nxënësve dhe i qytetarëve. Kjo na bën që të kemi shumë angazhim për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Angazhimi nënkupton që fëmijët duhet të kontrollohen çdo ditë dhe të jenë nën mbikëqyrje ditore, përfshirë edhe kujdesin e mësimdhënësve”, ka thënë Haziri, gjatë adresimit para drejtorëve të shkollave.

Ai tha se duhet të rritet roli i prindërve dhe i Këshillit të nxënësve, derisa ambulancat në lagje e fshatra hynë në menaxhim ditor me personel shëndetësor.

“Ata do të kujdesen për shëndetin e nxënësve dhe të personelit gjatë ditës. Duhet të ndërmerren të gjitha masat kundër përhapjes së COVID-19. Do të punojmë sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHP dhe MSH. Fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur rast të bartjes së infeksionit nga ana e fëmijëve”, ka thënë Haziri.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, tha se nxënësit nga klasa 1-9, do të vijojnë mësimin në objektet shkollore, derisa nxënësit e shkollave të mesme 10-12, do të kthehen në shkolla sipas planit B të MASH-it, e që është një javë mësim në shkollë e një javë mësim online.

Një vendim i prerë për vijimin e procesit mësimor nuk është marrë, por është thënë se do t’u lihet komunave të vendosin, varëisisht nga situata epidemiologjike.