Made in Kosova

Në Ferizaj ka një shembull se mund të fitohet mjaftueshëm veç me produkte vendore (VIDEO)

Në marketin “Plus” të Sylejman Nezirit, në Ferizaj, nuk mund ta gjesh asnjë produkt të prodhimit serb.

Këtë vendim Neziri e kishte marrë që nga paslufta, pavarësisht rrezikut në fitimin e tij, raporton KTV.

Madje, ka arritur të zgjerohet edhe më shumë pasi qarkullimin më të madh vjetor, mbi 3 milion euro, e bën përmes produkteve vendore.

Por, ai tregon se procedurat për import të produkteve nga Shqipëria janë më të vështira sesa ato për importin nga Serbia.

Madje, ai u bë i pari që nisi zbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve të shtetit të origjinës pranë secilit produkt.

Për këtë edhe inspektimet e para kanë nisur nga marketi i tij, përmes një organizimi të bërë nga Klubi i Prodhuesve.

Për problemet administrative në import, deputetja Sala Berisha-Shala tha se është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes së cilit do të punojnë në eliminimin e barrierave.

Ndërsa, Vllaznim Osmani, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se ndihmën më të madhe për prodhimin vendor mund ta japin vetë konsumatorët.

Përveç ushqimit, import i madh nga Serbia bëhet edhe për produktet ndërtimore.