Në Ferizaj deri në mesditë votuan rreth 15 mijë qytetarë

Në Ferizaj procesi zgjedhor është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi deri tash.

Në këtë qytet deri në mesditë kanë votuar mbi 10 për qind të votuesve. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 112 mijë e 243 persona.

Shaban Rexha kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor në Ferizaj theksoi se procesi zgjedhor në këtë komunë është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe nuk ka asnjë pengesë në procesin e votimeve.

“Deri më tash prej mëngjesit kur kemi hapur qendrat e votimit, të cilat janë hapur me kohë në të gjithë vendvotimet pa asnjë vonesë, procesi zgjedhor ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe asnjë pengesë në procesin e votimeve. Nuk kemi pasur mungesë të materialit zgjedhor. Pra, deri më tash jemi të kënaqur me rrjedhën e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt. Deri në orën 11:00 kanë dalë të votojnë 11 mijë e 160 votues apo me përqindje 9.94 për qind”, deklaroi Rexha.

Basri Hasani, menaxher në qendrën e votimit 2501D në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj thotë se kjo qendër është hapur me kohë në orën 7:00, dhe deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 16 për qind.

“Është një proces normal dhe qytetarët po e kryejnë obligimin e tyre qytetar. Kjo qendër e votimit numëron diku 9 mijë e 640 votues dhe deri në këto momente që po flasim nuk kemi pasur ndonjë shqetësime që vlen të theksohet. Deri tash(ora13:00), numri i votuesve është 1 mijë e 540 votues apo rreth 16.30 për qind. Deri në orën 13:00 këtë fluks kemi pasur”, deklaroi Hasani.

Qytetarja Imrane Halili, e cila ka ardhur nga Zvicra për të votuar në Ferizaj, tha se nga këto zgjedhje pret ndryshime pozitive për qytetarët e Kosovës dhe të atyre në diasporë.

“Jam ardhur prej Zvicrës me votu. Presim me u bë mirë në vendlindjen tonë. Dëshirojmë t’i shohim qytetarët duke jetuar më mirë, me perspektivë, e jo me dalë rinia në kurbet”, u shpreh ajo.

Mirëpo, pati edhe qytetarë, të cilët nuk presin shumë nga të zgjedhurit.

Azem Guta tha se sot ka kryer obligimin e tij qytetar, por që u shpreh i zhgënjyer nga këto zgjedhje. Ai tha se nuk pret asgjë nga të zgjedhurit, e që sipas tij Kuvendi po mbushet me analfabetë.

“Po, votuam e kryem një obligim qytetar, edhe pse të zhgënjyer. Asgjë nuk presim prej këtyre zgjedhjeve, sepse po e mbushim parlamentin e Kosovës me analfabeta dhe me hajna. Asgjë tjetër”, deklaroi Guta.

Numri i përgjithshëm i vendvotimeve në Ferizaj është 147.

loading…