Moti në RKS

Në dy ditët e ardhshme, fjolla bore në vende malore – nga fundjava më ngrohtë

Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me origjinë nga verilindja.

Këto masa do të krijojnë kushte për mot të vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë orëve të pasdites vende-vende do të shoqërohen me riga shiu, derisa në viset malore priten edhe fjolla të dobëta bore.

“Nesër edhe në fushat barike do të ketë luhatje, duke bërë që masat e ajrit të jenë më shumë aktive. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë herë-herë me vrull nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi deri 9m/s”, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Nga dita e premte, e tutje, IHMK thotë se merkuri në termometër sërish do t’i regjistroj vlerat mbi 20 gradë Celsius. Kurse masat e ajrit do ta ndryshojnë kahun e lëvizjes, duke vazhduar në drejtim të jugperëndimit, ku shpejtësia e tyre do të ndryshojë në orët e pasdites.