Në Ditën e Veteranit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetja Shqipe Mehmeti Selimi ka nderuar veteranin dhe luftëtarin e hershëm të UÇK-së, Vesel Selimi, duke ndarë momente përkujtimore me të në këtë datë të rëndësishme historike.
Ajo ka theksuar se Vesel Selimi përfaqëson një figurë nderi jo vetëm për familjen Selimi, por edhe për të gjithë bashkëluftëtarët e tij. Sipas saj, Vesel Selimi u plagos në betejën e parë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, më 30 dhjetor 1991 në Prekaz, kur me armë në dorë iu bashkua rezistencës së armatosur të Adem Jasharit.
Duke rikujtuar rolin e tij si bashkëluftëtar i Adem Jasharit dhe si luftëtar i UÇK-së që qëndroi në vijën e frontit deri në ditën e fundit të luftës, deputetja Selimi ka theksuar se plagët e marra në trupin e tij janë dëshmi e gjallë e sakrificës për liri. Me këtë rast, ajo bëri të ditur se pati nderin t’ia dhuronte Vesel Selimit uniformën e Veteranit të Luftës së UÇK-së, një dhuratë simbolike nga Rexhep Selimi, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje.
“Sakrifica dhe gjaku i derdhur për liri e bëjnë Bacën Vesel të denjë për respektin e të gjithë atyre që e duan dhe e çmojnë lirinë,” ka theksuar ajo.
Në përmbyllje, deputetja Shqipe Mehmeti Selimi ka uruar të gjithë bashkëluftëtarët për Ditën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke shprehur respekt të veçantë për të plagosurit e luftës dhe familjet e dëshmorëve.
“Lavdi Dëshmorëve të Lirisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” përfundon mesazhi i saj.







