Dita historike

Në Ditën e formimit të Ushtrisë, Prishtina stoliset me flamuj evropianë

Në Ditën D, në Ditën e formimit të Ushtrisë Kosovës, sot,në kryeqytetin e Republikës së Kosovës po valojnë flamuj të vendeve të Evropës, ndërsa hapësirën mbi ta në Prishtinë po e mbikëqyrin helikopterë të NATO-s.

Sheshi kryesor i qytetit, krahas Flamurit të Kosovës, është stolisur edhe me flamujt kombëtarë të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë.

Flamujt janë vënë në nderim të këtyre shteteve që kanë dhënë kontribut të madhe në lirinë e Kosovës, në pavarësinë e saj dhe në ndërtimin e FSK-së dhe në shndërrimin e saj në Ushtri.

Paraprakisht, ditë më parë, Prishtina ishte stolisur edhe me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot, në Kuvendin e Kosovës, në orën 10:00, fillon seanca plenare në të cilën procedohen tri ligjet që FSK-në e shndërrojnë në Ushtri.

SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia bëjnë vendet e Quintit që kanë ndihmuar ecjen e Kosovës deri këtu dhe për këtë Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.