Në Ditën e Çlirimit, militantët e VV-së tentojnë ta prishin tubimin e PDK-së me fëmijët e dëshmorëve

Një grup i militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar ta prishin sot një tubim të PDK-së, i organizuar me fëmijët e dëshmorëve, për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit.

Teksa Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po mbante fjalimin e tij, përballë shtatores së Zahir Pajazitit, ky grup i militantëve të VV-së provoi të ndërhynte me fyerjet e tyre në këtë event të PDK-së me fëmijët e heronjve, dëshmorëve, martirëve, të cilët kanë rënë për lirinë e Kosovës. Ata kanë marrë përgjigjen e menjëhershme nga zyrtarët e sigurisë dhe policia, ndërsa janë larguar nga aty.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kishte zgjedhur sot të organizojë një aktivitet ndryshe për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai ka takuar fëmijët e dëshmorëve, martirëve, të zhdukurve dhe të veteranëve të UÇK-së, me të cilët ka bashkëbiseduar për rëndësinë e lirisë dhe çlirimit të Kosovës. Veseli ka kërkuar nga kjo gjeneratë e të rinjve të mos ndalen së angazhuari për ta çuar Kosovën më tutje, ashtu siç bënë prindërti e tyre.

“Është shumë emocionale për mua që këtë ditë të shenjtë të lirisë sonë ta festoj bashkë me ju, bijë e bija të lirisë së Kosovës, të heronjëve, dëshmorëve, martirëve, të të zhdukurve, të të burgosurve, veteranëve të UÇK-së, bashkëluftëtarëve të mi! Është shumë emocionale që bashke me ju ta festojmë ditën e çlirimit, ditën e UÇK-se, triumfit historik të kombit tonë, në mes të Prishtinës, kryeqendrës sonë, ku shpejt do të ngritet shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari, përballë asaj të heroit të kombit, Zahir Pajaziti” ka thënë Veseli.

Ai më tej ka porositur të rinjtë të ndihen krenarë me veprën e parardhësve të tyre.

“Prindërit tuaj, heronj e trima, dhe bashkëluftëtarët e mi – kanë qenë në moshën tuaj kur janë ngritur me parulla në protesta e demonstrata kundër Serbisë, kur janë burgosur për liri, e kur e kanë kapur armën dhe kanë luftuar për Kosovën. Kjo është historia jonë, historia e Kosovës, të cilën e kanë shkruar prindërit tuaj dhe ju në liri edo të vazhdoni ta plotësoni çdo ditë të jetës suaj”, ka thënë Veseli.