Trashëgimtarët

Në Deçan shfaqet dokumentari për strehimin e hebrenjve në Kosovë

Në komunën e Deçanit është shënuar Dita Përkujtimore e Holokaustit përmes dokumentarit “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa familje në Deçan kishin strehuar hebrenj të përndjekur dhe i kishin ndihmuar ata të kalonin kufirin. Një prej këtyre familjeve ishte edhe ajo e Arsllan Rezniqit, që strehoi mjekun hebre Haim Abravanel, historia e të cilëve u shfaq përmes këtij dokumentari. Mbesa e mjekut Abravanel, Levy Rachel-Drummer erdhi në Deçan në shenjë falënderimi për familjet kosovare që ndihmuan njerëz të popullit të saj. Ajo u shpreh e emocionuar që po viziton vendin ku u shpëtua gjyshi i saj, njëherësh tha se historia e tyre duhet të shërbejë si mesazh për botën, raporton KTV.

“Nuk është vetëm për familjet tona, historia mes dy familjeve tona është mesazh për gjithë njerëzimin”, ka thënë ajo.

Në emër të familjes shpëtimtare të Arsllan Rezniqit, foli stërnipi i tij, Lekë Rezniqi, i cili tha se për familjet e Deçanit kjo ditë është e veçantë, sepse shfaq kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve. Rezniqi tha se shqiptarët janë krenarë në këtë ditë.

“Përderisa bota e shënon në forma të ndryshme këtë ditë, ne shqiptarët ndiejmë krenari, për shkak se përderisa hebrenjtë në tërë botën po përndiqeshin vetëm për shkak të identitetit të tyre, ishin shqiptarët ata të cilët i hapën shtëpitë e tyre edhe i shpëtuan duke i strehuar dhe duke iu mundësuar mbijetesën e tyre gjatë këtyre ngjarjeve të tmerrshme”, ka thënë Rezniqi.

Pavarësisht se shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria shquhen për ndihmën që u kanë dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Izraeli ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Përndryshe, 27 janari në botë shënohet si Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Vlerësohet se rreth gjashtë milionë njerëz u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e politikave naziste për shfarosjen e popullit hebre.