Pejë

Në çfarë kushtesh punon Spitali i Pejës, flasin mjekët

Lufta kundër pandemisë COVID-19 solli një numër të madh të problemeve në të gjitha fushat e jetës. Kjo pandemi gjurmët më të mëdha i la në fushën më të ndjeshme të shtetit- fushën e shëndetësisë. Këto probleme u thelluan edhe më shumë duke marrë parasysh gjendjen në të cilën gjendej shëndetësia qysh para pandemisë.

Duke pasur gjithnjë vështirësi financiare, mungesë të investimeve të mëdha, pajisje shëndetësore jo shumë të avancuara në krahasim me shtetet e zhvilluara, e duke shtuar këtu edhe mungesën e personelit, pasojat janë të qarta.

Spitali rajonal i Pejës

Edhe në studimin e bërë nga organizata Deloitte thuhet se asnjë spital në botë nuk ishte i përgatitur për një pandemi të tillë, si financiarisht ashtu edhe materialisht. Natyrisht, një vlerësim i tillë më së shumti i përshtatet Kosovës, kur dihet gjendja në vend.

Në qytetin e Pejës gjatë pandemisë kishte një numër të konsiderueshëm të të infektuarve me coronavirus.

E si u përball spitali i Pejës me një sfidë të tillë tregon Besnik Ibraj, doktor në këtë spital.

Ai thotë se kushtet përbrenda spitalit ishin relativisht të mira dhe se pandemia është menaxhuar mirë, por me disa pengesa teknike.

“Pandemia në spitalin e Pejës është menaxhuar mirë me disa pengesa teknike. Riorganizimi i punës në Repartin e Emergjencës, Pulmologjisë dhe Infektologjisë ka mundësuar kryerjen me sukses të detyrave të punës. Mungesat ishin të shprehura në fillim të pandemisë në mjete mbrojtëse por më vonë, fatmirësisht kjo është rregulluar me intervenimin e ministrisë. Mungesë kronike është mungesa e stafit mjekësor, specialistëve te fushës dhe stafit” tha Ibraj.

Sidoqoftë, sipas tij Spitali i Pejës është i furnizuar mjaftueshëm me aparatura mjekësore për diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme.

Mendim të ngjashëm ka edhe doktori tjetër që punon në repartin e emergjencës, Melos Kelmendi. Ai thotë se situata me pandemi në spital është menaxhuar shkëlqyeshëm përkundër rrethanave në të cilat gjendet Kosova.

“Përkundër fokusit në pandemi, spitali i Pejës ka ofruar shërbime edhe për problemet e tjera shëndetësore, e sidomos për ato me rrezik jete. Rastet kronike dhe ato më me ndjeshmëri, është tentuar që të qëndrojnë sa më larg mjediseve të rrezikuara”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu shtoi se në këtë spital, përkundër vështirësive, stafi gjithmonë ka gjetur zgjidhjen më të mire të mundshme për pacientët.