Në BE nuk flasin, në Kosovë ‘shpallet’ shtyrja e liberalizimit të vizave

Çështja e liberalizimit të vizave është bërë pjesë e debateve të ashpëra politike ndërmjet pozitës, opozitës dhe Presidentit Hashim Thaçi. Në institucionet e BE’së ky proces është në procedurë, pritet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, por për politikanët kosovarë po e vënë në pikëpyetje liberalizimin për shkak të përplasjeve në mes vete.

Gjithçka ka nisur rreth dy javë më parë kur Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj duke folur për një takime me zyrtarë të BE’së tha se opozita doli kundër liberalizimit të vizave gjatë takimit.

“Opozita sot hapur doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë” kishte shkruar Hoxhaj.

Kjo deklaratë ishte marrë e mirëqenë edhe nga Presidenti Hashim Thaci i cili e kishte sulmuar po ashtu  opozitën.

Çështja e vonesave të liberalizimit të vizave e cila herë ndërlidhet me zgjedhjet në Bashkimin Europian e herë me ndërhyrjet në drejtësi në Kosovë, është përmendur edhe kur u përfolë dorëheqjen e Abelard Tahirit, kur u raportua se ai ka ofruar dorëheqjen për shkak të “ndërhyreve të Kryeministrit” në drejtësi që mund të ndikojë në shtyrjen e liberalizimit deri në vitin 2020.

Një përplasje për cështjen e vizave ka ndodhur edhe dje, Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur përfoljeve për shtyrjen  e vizave ka thënë se askush në BE deri më “tani nuk ka thënë jo”.

Presidenti Hashim Thaci dje po ashtu ka përmendur ndërhyrjet e Haradinajt në drejtësi për cështjen e veteranëve duke e ndërlidhur këtë me vizat.

Ndryshe Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në SHBA muajin që shkoi ka thënë se ka takuar kryeministrin e Holandës, një vend skeptik për vizat, të cilin ka thënë se e ka siguruar se nga Kosova nuk do të shkojnë azilkërkues e as kriminelë.

Haradinaj megjithatë ka thënë se një vend tjetër me të cilin duhet të punohet është edhe Franca e cila po ashtu është një nga vendet që ka rezerva për vizat.

Sido që të jetë, zyrtarë të BE’së të cilët merren me këtë proces si Komisioneri Hahn, raportuesja e Parlamentit për cështjen e vizave Tanja Fajon nuk kanë përmendur publikisht  ndonjë pshqetësim që flet për shtyrjen e vizave.

Por, për mundësinë e dështimit ka folur ish-Kryeministri Isa Mustafa derisa ka akuzuar Haradinajn ditë më parë.

“Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet. Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020…” ka shkruar Mustafa.