Në barkun e një balene të ngordhur u gjetën 40 kilogramë qese plastike

Autoritetet e Filipineve kanë njoftuar se në barkun e një balene të ngordhur, e cila u soll në breg të detit nga valët, janë gjetur 40 kilogramë qese plastike.

Biologët detarë dhe vullnetarët nga muzeu “D’Bone Collector” në Davao të Filipineve u shokuan kur e zbuluan arsyen e tmerrshme të ngordhjes së balenës së re, trupi i së cilës u gjet në breg të detit të shtunën e kaluar.

Në një deklaratë kritikuese në faqen e tyre në Facebook, zyrtarët e muzeut thanë se në barkun e balenës janë gjetur 40 kilogramë qese plastike, përfshirë 16 thasë të orizit.

Në pamjet e siguruara nga autopsia janë parë shumë mbeturina që janë futur në thellësi të organizmit të saj. Besohet se balena ka ngordhur për shkak të shokut gastrik pas gëlltitjes së tërë kësaj sasie të plastikës.

Biologët e këtij muzeu thanë se kjo është sasia më e madhe e plastikës që kanë gjetur ndonjëherë në barkun e një balene. “Është neveritëse. Qeveria duhet të ndërmarrë masa kundër këtyre dukurive në mënyrë që gjallesat e detit të trajtohen më me prioritet.

Përdorimi i plastikës së pariciklueshme në pjesën juglindore të Azisë është në nivel shumë të lartë. Sipas një raporti të vitit 2017, Indonezia, Filipinet, Tajlanda dhe Vietnami kanë hedhur më shumë plastikë në oqeane sesa tërë shtetet tjëra së bashku, shkruan “The Guardian”.