Në aktakuzën ndaj Shalës, Specialja përmend edhe Gecin e Krasniqin

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, të enjten është transferuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Në aktakuzën e redaktuar të publikuar nga Dhomat e Specializuara, Shala, i njohur gjatë luftës si “Ujku”, dyshohet se së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, kishin mbajtur të izoluar në fabrikën e metalit në Kukës disa persona pa proces ligjor të rregullt, duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Në aktakuzë përmenden edhe Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, si të përfshirë në këto vepra.

“Ata u mbajtën në qeli të improvizuara të ruajtura nga roja të armatosura, u prangosën dhe u lidhën, iu morën dokumentet e udhëtimit dhe paratë dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzën e redaktuar.

Shala dyshohet se ndaj të ndaluarve kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike duke i kërcënuar me vdekje, duke i frikësuar dhe duke i marrë në pyetje. Veprat e lartpërmendura thuhet se ishin kryer mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999.

“Të ndaluarit në fabrikën e metalit në Kukës rriheshin thuajse përditë. Pjetёr Shala nuk mori asnjë masë për parandalimin ose kufizimin e dhunës, ose ndryshe për të ndihmuar ose për të siguruar trajtim njerëzor të të ndaluarve”, thuhet tutje.

Sabit Geci, i njohur gjatë periudhës së luftës si “Qopa”, ishte dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullsisë civile në Kukës dhe Cahan dhe armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë. Mirëpo, Gjykata e Apelit më pas ia kishte pezulluar ekzekutimin e dënimit për një periudhë tre mujore, për shkak të shëndetit të tij. Gjatë vitit të kaluar Geci kishte thënë se Gjykata Speciale i kishte ngritur aktakuzë.