Ambasada e Gjermanisë

Ndryshon procesi, ja si do të jepen terminët për viza në ambasadën gjermane

Nga sot e deri më 17 dhjetor qytetarët e Kosovës të cilët synojnë shkuarjen në Gjermani me vizë pune mund të caktojnë termin.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se aplikimi do të nis nga ora 14:00.

Kjo ambasadë ka bërë të ditur se nga tash aplikimi do të bëhet me short. Pra në mënyrë kompjuterike do të zgjidhen aplikuesit për termin për vizë pune.

“Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në periudhën janar deri në fillim të shkurtit 2022. Procedura e shortit do të realizohet secilën herë në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikëqyrjen e më shumë personave”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada gjermane u ka bërë thirrje aplikuesve që të kenë kujdes të shtuar në shënimin e të dhënave.

Sipas tyre, regjistrimet e shumëfishta janë të pamundura, ndryshimet e të dhënave të shënuara gjatë regjistrimit nuk kanë të mundshme, kalimi i terminit te një person tjetër nuk është e lejueshme, regjistrimi i mëhershëm nuk është përparësi kundrejt një regjistrimi të vonshëm, angazhimi i agjencioneve nuk sjell asnjë përparësi.

Ndryshimi i procedurës për aplikim për një vizë punë në Gjermani vjen për shkak të numrit të madh të interesuarve, thotë ambasada gjermane.

Këtu mund të aplikoni për termin vize.