Evropë

Ndryshimi i sotëm i orës, mund të jetë hera e fundit

Akrepat e orës u kthyen pas në Evropë orët e para të kësaj të diele, por kjo mund të jetë e fundit herë që ndodhë.

Në orën 3 të mëngjesit të ditës së sotme ndodhi ndryshimi, që u jep evropianëve një orë më shumë gjumë në mëngjes dhe pak dritë dielli më shumë po ashtu.

Zakoni i ndërrimit të orës daton që nga vitet 1970, por ideja fillestare e kursimit të energjisë daton kohë më parë.

“Ndryshimi i orës nuk është diçka e re”, thotë Pascal Paul, nga orët “Kronos”.

“Historia ka nisur që në kohën e Luftës së Parë Botërore për të shpëtuar qymyrin, e më pas në vitin 1976, në kohën e krizës së naftës u materializua. Por, nëse sheh më thellë, është Benjamin Franklin, ai që e propozoi idenë që në vitin 1784 për të kursyer qirinjtë”, thotë Paul.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka marrë në konsideratë dhënien fund të praktikës, pasi rreth 4 milionë qytetarë votuan kundër procedurës në një peticion “online”. Tani, çdo shtet do të pyetet nëse do të zgjedhë të përdorë të njëjtën orë gjatë të gjithë vitit. Nëse mekanizmi do të ecë siç duhet, atëherë ndryshimi mund të hyjë në fuqi pas një viti.

Ndryshimi i orës fillimisht kishte si qëllim shpëtimin e energjisë përmes garantimit të më shumë drite gjatë mëngjeseve të dimrit, por diskutimet e kohëve të fundit janë fokusuar përreth sigurisë dhe rreziqeve të ngarjes së makinave në errësirë.

Kritikët e ndryshimit të orës thonë se, ajo shkakton probleme me gjumin dhe është jo e shëndetshme. Ndërkohë, Maroku vendosi javën e shkuar të heqë dorë nga ndryshimi i orës, vetëm dy ditë para se kjo të ndodhte.