FSK

Ndryshimi i ligjeve për FSK-në, a po bëhet transformimi në ushtri?

Kuvendi i Kosovës ka votuar pakon me tre projektligje që parashohin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Republikës së Kosovës. Transformimi i Forcës po bëhet vetëm me ndryshime ligjore, në mungesë të përkrahjes së Listës Serbe për ndryshime kushtetuese, andaj me këto ligje emri i FSK-së do të mbetët i njëjtë. Njohës së kushtetutës po konsiderojnë se FSK nuk mund të quhet ushtri derisa nuk i ndërrohet emri.

Ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi në parim tri projektligje që Qeveria e Kosovës i ka propozuar për transformimin e FSK-së.

Në këtë mënyrë po synohet që FSK-së t’i shtohen kapacitet dhe përgjegjësitë, por, ajo që po mbetët e njëjtë është emri.

Në këto rrethana, profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se mund të bëhet vetëm avancime dhe në asnjë mënyrë ndërhyrje në emërtim.

Sipas Baraliut, pa ndryshimin e emrit të FSK-së, nuk mund të ketë transformim.

Profesori Baraliu thotë se çështja kryesore është emërtimi, andaj sipas tij, do të duhej të kishte ndryshime kushtetuese.

Por nuk mendon njëjtë ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.
Sipas tij, emri nuk e bënë ushtri por misioni dhe detyrat.

Ndërsa njohësi i sigurisë, Ramadan Qehaja ka thënë se votimi i projektligjeve në Kuvend përbën nisjen e një procesi mjaft kompleks të krijimit të kapaciteteve ushtarake.

Ndërkohë amerikanet kanë deklaruar për media se e mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale.

Kujtojmë se projektligjet e votuara në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar vetëm shqyrtimin e parë dhe pritet që të procedohet edhe shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre final para se të mund të nënshkruhen nga presidenti i vendit.

Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që FSK të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por emri i mbetët i njëjtë.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98 vota, kurse ai për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës u miratua me 96 vota.

Projektligjet për FSK-më i mbështetën nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe. Ata bojkotuan seancën ku po votohej pako me tre projektligjet për transformimin e FSK-së.