Ndryshimet klimatike mund t’i kushtojnë SHBA-së miliarda dollarë në vit

Sipas një raporti, ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë pengesa në shumë fusha të jetës, duke përkeqësuar sfidat e tanishme për prosperitet.

Ndryshimet klimatike mund t’i kushtojnë SHBA-së qindra miliarda dollarë çdo vit deri në vitin 2050, nëse nuk merren masa drastike për të reduktuar emetimet e karbonit, thuhet në një raport të publikuar të premten, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamenti për Vlerësimin Kombëtar të Klimës, në pajtim me një numër agjencish qeveritare, shqyrtoi ndikimin që ndryshimet klimatike do të kishin jo vetëm në ekonomi, por në të gjithë sektorët e shoqërisë amerikane.

Ai gjeti se dëmet në ekonomi mund të jenë masive.

“Me rritjen e vazhdueshme të emetimeve në normat historike, humbjet vjetore në disa sektorë ekonomikë parashikohen të arrijnë qindra miliarda dollarë deri në fund të shekullit, më shumë se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i shumë shteteve federale amerikane”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu nënvizon se ndryshimet klimatike kanë shkaktuar një mot ekstrem së bashku me ndryshimet në kushtet mesatare të klimës dhe se “ndryshimet klimatike në të ardhmen pritet të shkaktojnë ndërhyrje të mëtejshme në shumë fusha të jetës, duke përkeqësuar sfidat e tanishme për prosperitet”.

Ndërsa ndikimi që mund të kenë ndryshimet klimatike në një sektor mund të jetë shkatërrues, i cili gjithashtu mund të ndikojë në sektorë të tjerë në të njëjtën kohë.

“Përhapja e plotë e ndryshimeve klimatike rrezikon sistemet e ndërlidhura, shumë prej të cilave përfshijnë kufijtë rajonalë dhe kombëtarë, shpesh është më e madhe se niveli i rreziqeve në sektorët individualë”, thuhet në raport.

Çështja e ndryshimeve klimatike nuk përputhet me axhendën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndërsa ai vazhdimisht përpiqet të rishkruajë politikat pro-mjedisore.

Në qershor të vitit 2017, Trump njoftoi se SHBA-të do të tërhiqen nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, një marrëveshje ndërkombëtare e cila ishte përkushtuar për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.

Në tetor të këtij viti, Trump akuzoi shkencëtarët e ndryshimeve klimatike se kanë “axhendë politike”, duke thënë se, ndërkohë që mendonte për ndryshimet klimatike, ai besonte se ky fenomen nuk është shkaktuar nga njeriu.

Javën e kaluar, Trump njoftoi gjithashtu planin e tij për të emëruar Andrew Wheeler, një ish lobist i thëngjillit, në krye të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.