Ndryshim i madh i motit gjatë ditëve të ardhshme: Nga kjo ditë parashihet të bie edhe borë

Gjatë pesë ditëve të ardhshme, në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, ku dita e parë e prillit pritet që të shoqërohet me reshje shiu dhe bore.

Kështu ka bërë të ditur Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një njoftimi për media, në të cilin thuhet se pas ditës së martë, përveç borës parashihen edhe ngrica të lehta.

“Kjo situatë meteorologjike me masa të ashpra nga veriu, do të ndikojë në uljen e temperaturave minimale duke bërë që në ditët e ardhshme, pas ditës së martë përpos borës, parashihen edhe ngrica të lehta”, thuhet në njoftim.
IHMK njofton se të hënën, Kosova do të vazhdojë me kushte të ngjashme meteorologjike, sikur ditët paraprake.

“Nga dita e martë, masat e ashpra të ajrit, të cilat vijnë nga pjesa veriore e kontinentit, do të ndikojnë në uljen e temperaturave në të dy vlerat ekstreme. Borë parashihet të bie, fillimisht në pjesën e Dukagjinit dhe pastaj të njëjta kushte do ta përfshijnë edhe pjesë tjetër të territorit. Të mërkurën temperaturat do të ulen dukshëm për shkak të reshjeve të parashikuara të borës. Vlerat e lehta negative parashihen të vazhdojnë deri të premten”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-14 gradë Celsius.