Mirosllav Lajçak, emisari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, pas qëndrimit në Kosovë, tha se BE-ja nuk dëshiron t’i detyrojë palët për një marrëveshje, por ta lehtësojë arritjen e një marrëveshjeje të dakorduar mes palëve.
“Në këtë moment nuk jam këtu të spekuloj, mandati im është normalizimi i marrëdhënieve”, u shpreh ai.
“Mandati im është i qartë, dialogu ka histori prej 10 vitesh. Janë disa marrëveshje që janë dakorduar por nuk janë zbatuar. Unë dua që këtë proces ta sjell në një përfundim të suksesshëm. BE është lehtësues, roli ynë është që t’i lehtësojmë palët për dakordim, jo për detyrim”, potencoi Mirosllav Lajçak.
Për çështjen e vizave, Lajçak tha se kjo duhet të ndodh, por se aktualisht nuk ka marrëveshje mes shteteve anëtare të BE-së.
“Unë vërtet besoj që vizat duhet t’i hiqen Kosovës, akoma nuk ka pasur marrëveshje mes shteteve anëtare për të arritur këtë. Liberalizimi do të bëhet, partnereve të mi ju kam propozuar të punojnë shumë që kjo të arrihet”.







