Ndotja nuk largohet për një vit, të krijohet plan afatgjatë

Edhe këtë vit Kosova vazhdon të ketë ajër të ndotur. Kjo ndotje më shumë është e theksuar në Prishtinë dhe në disa komuna të tjera. Sot cilësia e ajrit është mbi 100 dhe nuk është në nivel të kënaqshëm.

Zeqir Veselaj njohës i çështjeve të ambientit, tha se largimi i ndotjes do kohë dhe nuk rregullohet për një vit.

“Tash hyjmë në fazën e ndotjes, po flasim për Prishtinën e cila ka ndotjen më të lartë. Edhe në disa qytete tjera ka ndotje, por më pak”, tha Veselaj sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës.

Sipas tij ndotja e ajrit nuk bëhet vetëm nga termocentralet, por janë edhe faktorë të tjerë, siç janë edhe veturat.

Veselaj vlerësoi se edhe pse ka pasur vetura më herët, nuk ka patur sikur tani. “Sot ka shumë mundësi për të matur ajrin, kemi një sensibilizim të qytetarëve. Sot nga telefoni qytetari mund ta kuptoj se si është gjendja e ndotjes”, tha ai.

Sipas tij edhe vendosja e pikës monitoruese nga Ambasada Amerikane ndikoi në sensibilizim të qytetarëve për ndotjen e ajrit.

loading…