Ndotja e ajrit në Prishtinë, shkaqet dhe pasojat

Ndotja e ajrit në Prishtinë, po vazhdon të jetë e lartë, e që po konsiderohet të jetë ndër vendet më të ndotura sa i përket cilësisë së ajrit.

Profesori i Shkencave të Mjedisit, Sami Makolli tregon se cilësia e ajrit në Prishtinë vazhdon të jetë e dëmshme.

Ai tregon se kryeqytetasit po vazhdojnë t’i ekspozohen një ajri mjaft të rrezikshëm, i cili do të lë pasoja shëndetësore.

“Një qytet i vogël i cili nuk ka shumë industri dhe ka kaq ndotje të cilën domethënë shumicën e ditëve kemi pas mbi 150 mikrogram grimca pm 2.5, i referohemi zakonisht këtyre në mjedis. Këto grimca 2.5 janë grimca, zakonisht si të tilla janë shumë të vogla hedhen nga era në atmosferë dhe pastaj duke qenë të tilla depërtojnë drejtpërsëdrejti në mushkëri dhe nuk ndalohen nga hunda dhe fyti. Madje madje disa të vogla depërtojnë drejt në gjak, dhe kjo pastaj ndikon që toksicitetin në trupin tonë me u rrit dhe mbi 150 konsiderohet e pashëndetshme”, thotë ai, për Ekonomia Online.

Sipas tij, cilësia e keqe e ajrit në kryeqytet po ndodh si pasojë e ndikimit të shumë faktorëve, si numri i madh i veturave, përdorimi i thëngjillit dhe termocentralet.

“Unë mendoj që ndotja e ajrit vjen pikërisht prej djegies pa kritere, dhe kur them prej djegies pa kritere domethënë, çdo njëri prej tri burimeve të ndotjes që njëri prej te triave është komunikacioni. Nuk kemi kriter të djegies domethënë çdo njëra veturë pavarësisht prej gjendjes së saj teknike që del në mjedis ka potencial shumë të madh të lirimit të gazrave. Poashtu kemi shtëpitë të cilat djegin pa kriter, djegin thëngjill të lagësht, djegin dru të lagështa dhe pastaj vije termoelektrana dhe niveli i filtrave”, thotë profesori Makolli.

Megjithatë profesori Makolli thotë se përmirësimi i ajrit varet shumë edhe nga kushtet klimatike. Sipas tij prishtinasit do të vazhdojnë edhe më tutje të përballen me gjendje jo të mirë sa i përket ajrit.

“Nuk mendoj që ajo gjendje se do të jetë më shumë ditëve në vijim a do të ketë më pak varet prej kushteve klimatike. Unë ju thashë që ne kemi konstant një ndotje dhe e cila mendoj se çdo vjet e më shumë po na rritet, a se sa do të jetë ditëve në vijim, dhe kështu varet krejt prej temperaturave klimatike që mbretëron. Në momentet kur ka mjegull dhe ka masa të ajrit që nuk lëvizin atëherë gjendja mundet me u rëndu më shumë dhe kjo është pak punë fati se si e kemi çështjen meteorologjike në vend”, theksoi Makolli.

E kjo ndotje enorme sipas profesor Makollit shkurton jetën për 1.8 vjet dhe lë pasoja afatgjate shëndetësore, por edhe rrit koston ekonomike të qytetarëve.

Kjo ndikon drejtpërsëdrejti në jetëgjatësinë mesatare të qytetarëve tanë, dhe duke pas parasysh që kjo zvogëlohet, atëherë bie sipas studimin të Organizatës Botërore për Shëndetësi që cilësia e ajrit merr 1.8 vite, shkurton jetën në mesataren e banorëve që ajo ka shpërndarë, por cilësia e ajrit që është në nivelin e tillë atëherë mund të jetë shumëfish dhe shumë ma e lartë. Pastaj mos ta përmendi koston ekonomike sepse gjithë kjo ndotje, në fund faturën e gjithë kësaj ndotje kanë për ta paguar qytetarët nëpër spitale duke u rrit niveli i sëmundjeve kancerogjene’’, theksoi Makolli.

Ai apeloi tek institucionet shtetërore që të ndërmarrin masa urgjente për ta parandaluar këtë gjendje alarmante sa i përket ndotjes së ajrit.

Në të tilla situata, Makolli rekomandon qytetarët, të reduktojnë daljet në mjedise të hapura dhe të përdorin masa mbrojtëse.

“E kam theksuar edhe shumë herë të tjera, masat për me i ndërmarrë shpejt e shpejt janë të vështira, nuk ka masa të tilla, nuk ka mrekulli që mund ta përmirësojë mjedisin brenda natës, brenda ditës. Domethënë ne duhet të fokusohemi në vitin e ardhshëm. Të mos ta bëjmë temë diskutimi çështjen e mjedisit vetëm tani kur është gjendja e keqe. Në tash duhet ta diskutojmë duhet të bëjmë një plan gjatë verës që së paku gjatë vitit të ardhshëm të kenë më pak. Më mirë është një plan i keq sesa me punua pa asnjë kriter”, shtoi Makolli.

Sipas studimit të Organizatës Botërore për Shëndetësi, cilësia e ndotur e ajrit shkurton jetën e njerëzve në mesataren 1.8 ndër vite.