Komuna

Ndotja e ajrit: Komuna e ministria s’dalin në terren, qytetarët nisin sigurimin e qymyrit për dimër

Teksa po afron sezona e dimrit në Kosovë, të shumtë janë ata që kanë filluar blerjen e lëndëve djegëse për të siguruar ngrohjen gjatë ditëve të ftohta.

Përkundër ndalesës që ishte bërë nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me komunën e Prishtinës për ndalimin e shitjes dhe përdorimit të qymyrit si lëndë djegëse, e njëjta po përdoret me të madhe në kryeqytet, shkruan lajmi.net.

Këto masa ishin marrë gjatë vitit të kaluar për shkak të gjendjes alarmante të cilësisë së ajrit.

Prishtina aso kohe llogaritej si njëri ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Megjithatë, jo të pakta janë shtëpitë që në oborret e tyre kanë vendosur qymyrin e gatshëm për djegie gjatë stinës së dimrit.

Madje, kjo është lehtë e dukshme edhe për inspektorët.

E nga komuna po thuhet se masat për ruajtjen e cilësisë së ajrit janë ende në fuqi.

Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës tha për lajmi.net se është në kompetencë të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për kontrollimin e shitjes eventuale të kësaj lënde djegëse.

“Senzorët janë ende aktiv. Ndërkaq, për shitjen ose djegien e qymyrit, kompetetente është ministria e Mjedisit, edhe pse një gjë e tillë ishte ndaluar”, ka thënë Mullafazliu.

Kujtojmë, se në kuadër të masave që kishte marrë vitin e kaluar Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë dhe Ministrinë, ishte ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve nëpër disa nga rrugët kryesore në Prishtinë.

Kundër ndotjes së ajrit madje edhe ishte protestuar në Prishtinë.