Penalltia e gjuajtur në stilin “Panenka” është bërë pjesë përbërëse e shumë ndeshjeve që vendosen me penallti.

Sergio Ramos realizoi një të tillë për Spanjën kundër Portugalisë në gjysmëfinale të Evropianit 2012 dhe Andrea Pirlo kundër Anglisë në të njëjtin turne.

Por, derisa ata ishin të suksesshëm, pasojat nëse dështon mund të jenë shumë të rënda.

E këtë e ka kuptuar edhe futbollisti Brendix Parra, që është pjesë e skuadrës paraguaiane Independiente de Campo Grande.

Gjatë ekzekutimit të penalltive në ndeshjen e Copa Sudamericana kundër La Equidad të Kolumbisë, Parra vendosi të gjuante me “panenkë”, por ai gjuajti vetëm deri te gjoksi i portierit Diego Novoa.

Presidenti i klubit në ditën tjetër ka vendosur ta largojë nga skuadra futbollistin me arsyetimin se ai ekzekutim i penalltisë i humbi shumë para Independiente de Campo Grandes.