Ndodh edhe kjo: Deputetja e Albin Kurtit tenton t’i “merr” meritat për njohjen e Xhamajkës. Thaçi e bëri publike!

Deputetja Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Xhamajka.

Ajo këtë sukses ia ka dedikuar pushtetit të ri, ndonëse kabineti i Albin Kurtit është votuar veç që 18 ditë dhe tema e njohjeve as që ka qenë në agjendë.

“Sot, Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës. Erdhi dita për ty Kosovë”, ka shkruar me shumë entuziazëm deputetja në profilin e saj në Facebook.

Madje këtë e ka parë edhe si një “fillim të mbarë”, pasi sipas saj më 2018 kishte vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje.

“Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja…”, vazhdon ajo tutje shkrimin.

Sipas saj kjo “erë e ndryshimit politik” do ta sjell edhe investime, por edhe liberalizimin e vizave.

Shumë më i kujdesshëm në këtë drejtim është treguar shefi i diplomacisë kosovare.

Glauk Konjufca, kolegu i Fitore Pacollit, i cili tash e tutje është përgjegjësi kryesor për njohje dhe që ende nuk e ka bërë asnjë vizitë zyrtare jashtë shtetit që nga marrja e detyrës – vetëm e ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Xhamajkës për vendimin miqësor, njohjen.

“Njohja e Republikës së Kosovës është një moment i veçantë i miqësisë në mes të vendeve tona”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të përcjellë, përmes kanaleve diplomatike, gatishmërinë për të iniciuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tona dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe popujve tanë”.

Shteti i Xhamajkas ka vendosur ta njohë Kosovën menjëherë pas përvjetorit të 12-të të shpalljes së Pavarësisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti Hashim Thaçi, teksa ka falënderuar kongresistin Eliot Engel për gjithë angazhimin e tij në këtë drejtim.

“Xhamajka ka njohur republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Ky është rezultat i punës së vështirë dhe lobimit për vite të tëra nga kongresisti Eliot Engel”, ka shkruar Thaçi në Twitter.