Ndodh edhe kjo, ATK-ja me dy ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm

Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Tatimore të Kosovës, Sakip Imerit, i ka skaduar mandati në këtë institucion.

Por, pas përfundimit të mandatit të tij, si ushtrues detyre të drejtorit në këtë institucion janë përcaktuar dy persona, ndonëse nuk dihet nëse ky përcaktim është shoqëruar edhe me vendime.

Ballkani.info nga burime brenda Ministrisë së Financave ka mësuar se ka një mosmarrëveshje ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Hamza, të cilët e kanë caktuar nga një ushtrues detyre të tyre.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri të ATK-së, U.D. të Drejtorit të ATK-së e ka caktuar Bashkim Shalën, kurse kryeministri Haradinaj, si U.D. i Drejtorit të ATK-së ka kërkuar të jetë Nahit Sharku.

Ballkani.info ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave për të mësuar zyrtarisht se kush është caktuar U.D. i Drejtorit të ATK-së deri në zgjedhjen e drejtori të ri.

Zyra për informim e MF-së ka konfirmuar për Ballkani.info se Bashkim Shala është caktuar Ushtrues Detyre i Drejtorit të ATK-së.

“Duke u bazuar në kompetencat që Ligji i jep Ministrit të Financave, ministri Bedri Hamza e ka caktuar U.D të Drejtorit të ATK-së z. Bashkim Shala”, thuhet në përgjigje. /Ballkani.info/