Foto

​Ndizen qirinj në nderim të ish-aktivistit Astrit Dehari

Me rastin e 7-të vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, sonte është bërë ndezja e qirinjve te Murali për Astrit Deharin.

Në këtë përkujtim morën pjesë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, familjarë të Astrit Deharit dhe qytetarë.

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, tha se organet e drejtësisë po vazhdojnë të mos e zbardhin shkakun e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot bëhen 7 vjet që drejtësia është peng në duart e prokurorisë dhe gjyqësisë së Kosovës, dhe kjo dëshmon se rasti po manipulohet me qëllim që të fshihet e vërteta… Një prokurori normale, për një rast që është vrarë në burg të shtetit, mos për 7 ditë, mos për 7 javë, do të duhej ta zbardhte rastin për 7 muaj. Vetë fakti që 7 vjet nuk e zbardhi rastin, flet se fshihet e vërteta,” tha Dehari.

Edhe avokati Tomë Gashi ka fajësuar prokurorinë për neglizhencës në zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit.

“Faktikisht, kjo është një prej ditëve më të dhimbshme të pasluftës, meqenëse se tani sot e përkujtojmë 7-vjetorin e vrasjes të Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili për arsye politike është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren, ndërsa ende nuk i kemi të zbardhur në aspektin juridik vrasjen e tij. Le që neglizhenca e prokurorisë është e tepërt dhe nuk besoj që në një shtet normal mund të ndodhë siç ka ndodhur me rastin e Astrit Deharit,” tha Gashi.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha për KosovaPress, se të gjithë kërkojnë përgjigje dhe përmbyllje të këtij procesi tragjik.

“Është ende e pakuptimtë që 7 vite pas, nuk mbyllet një sagë e stërzgjatur e hetimeve, për humbjen e Astritit. Ajo çfarë ka ndodhur me rrethanat e mëtutjeshme, vetëm se e kanë rënduar rastin, në veçanti, humbja e jetëve edhe të shokëve të dhomës së burgut, pastaj rasti i humbjes së mostrave, apo lëvizjes së tyre. I tërë procesi ka treguar se ka një defekt shumë serioz në hetimin e këtij rasti. Përkundrejt kësaj familja, shoqëria, LVV, aktivistët që kanë qenë do të mbeten përgjithmonë me idenë e Astritit. Kërkojnë përgjigje dhe përmbyllje në një proces shumë tragjik. Nuk do të duhej që historia e re e Kosovës të ketë raste, të kësaj natyre, të cilat vetëm se sjellin dritë të zezë, hije të rëndë mbi sistemin e drejtësisë së Kosovës,” tha Kusari-Lila.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci kërkoi që të ketë drejtësi për Astritin dhe familjen e tij.

“Është gjithherë shumë e rëndë dhe e dhimbshme. Çdo vit mblidhemi dhe kujtojmë Astritin, por në të njëjtën kohë është ndjenjë krenarie për vetë faktin e aktivizmit dhe punës së Astritit, por dhe të familjes Dehari, dhe sa shumë kanë dhënë në fakt për vendin tonë dhe është e rëndësishme që mos ta harrojmë kurrë këtë pjesë, por natyrisht që duhet të angazhohemi shumë më shumë që të ketë drejtësi për Astritin dhe familjen e Astritit ,” tha Bogujevci.

Ndryshe, sot janë bërë shtatë vjet nga vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Gjatë ditës LVV ka organizuar disa aktivitete, si homazhe dhe dhurim vullnetar të gjakut./KP/