Ndiqet me kallashnikov pronari i ‘Zone Club’, vëllai i Valdrin Sahitit

Njëri nga pronarët e klubit të natës ‘Zone’ si dhe disa lokaleve tjera të njohura në kryeqytet, Dekorim Sahiti, ditë më parë është përballur me një kërcënim serioz nga një person.

Siç ka raportuar sot portali Sinjali, gjithçka dyshohet se ka ndodhur pas një zënke në komunikacion mes Sahitit dhe të dyshuarit, me ç’rast ky i fundit i është vënë mbrapa me veturën e tij duke e ndjekur deri në parkingun e ‘Hib Petrol’ në Çagllavicë.

I dyshuari atje kishte nxjerrë armën e llojit kallashnikov dhe e kishte kërcënuar Sahitin, i cili është detyruar që rastin ta denoncojë në organet e rendit.

Njësitë policore me të marrë informatën kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ndaj të cilit është iniciuar rasti për dy vepra penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Po ashtu Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

Si pasojë e përsëritjes së veprës, i dyshuari dje është ftuar sërish për intervistim, ku me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.