Ndihmëssekretari i Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, do ta vizitojë Kosovën, Bonjë-Hercegovinën dhe Serbinë.

Në një postim në rrjetin social X Hanrahan ka thënë se është nisur për një vizitë në këto vende. 

“Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Washington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”.

Të mërkurën Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani është takuar me Hanrahanin në Washington. 

Në njoftimin e Presidencës për takimin që është zhvilluar në Washington D.C., thuhet se Osmani ka ritheksuar përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë. Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.