Kuvendi i Kosovës, më 11 korrik, në një seancë plenare e bojkotuar nga partitë opozitare ka miratuar Projektligjin e Pavarur për Media, për të cilën kishte kritika edhe Bashkimi Evropian.

Për miratimin e tij votuan 59 deputetë, të gjithë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para miratimi të këtij projektligji shprehu habinë se si Komisioni për Integrime Evropiane ka vlerësuar se projektligjet dhe amendamentet janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e BE-së.

“Nuk kam parë asnjëherë kësi konstatimi që është pjesërisht në përputhje, po i bie se një pjesë është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së”, tha ai, ndonëse e dha votën e tij për këtë projektligj.

Por, çfarë parasheh projektligji i ri për KPM-në?

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë ka ndryshuar në momentin kur iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyri në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 180-të arsyetoi ndryshimet në Ligjin për KPM-në në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian, gjegjësit me direktivat e Shërbimit të Medias Audiovizuele të BE-së e njohur ndryshe si AVMS.

Por, ky arsyetim është në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës – ku Kosova aspiron të anëtarësohet – dhe Organizatës së Sigurisë së Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) meqë nuk merret fare parasysh konteksti lokal dhe injorohet trupi vetë-rregullativ ekzistues në Kosovë.

Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias në Shqipëri kishin kundërshtuar fuqishëm propozimet e njëjta ligjore që ishin bërë nga qeveria shqiptare atje.

Madje OSBE kishte apeluar që regjistrimi i mediave online assesi të mos jetë procedurë e detyrueshme.

Përveç kësaj, direktivat e AVMS-së në këtë projektligji janë keqinterpretuar ngase udhëzuesi nuk parasheh askund që mediat online duhet të licencohen nga organi rregullator i mediave.

Direktiva e AVMS- në nenin 4A inkurajon shtetet që të përdorin sistemin e vetë-rregullimit.

Direktiva e BE-së në asnjë formë nuk parasheh që shteti t’i vë mediat online nën kontroll nëpërmjet procesit të licencimit të detyrueshëm.

Për këtë arsye, Finlanda gjatë adaptimit të legjislacionit evropian për mediat kishte marrë për bazë kontekstin lokal dhe kishte vendosur që mediat online të vetë-rregullohen nëpërmjet trupit vetërregullativ finlandez për media, e jo t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji përveç se po tenton t’i disiplinoj mediat po provon ta zgjerojë edhe më shumë kontrollin edhe te vetë institucioni i KPM-së.

Një gjë e tillë do të mundësohet me rritjen e numrit të anëtarëve në 11, nga shtatë sa është aktualisht.

Prandaj rritja e numrit të anëtarëve në 11 nga AGK-ja është cilësuar si e “paarsyeshme” dhe e cila “bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj”.

Kjo, sipas AGK-së konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ishin kundër miratimit të Projektligjit të ri për KPM-në në formën si është përpiluar.

Për këtë gjë ata paralajmëruan edhe dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Në anën tjetër Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, vlerësoi se Kosova humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira – atë për Këshillin Prokurorial (i cili po ashtu u miratua të enjten në Kuvend0 dhe për Komisionin e Pavarur për Media.

Szunyog ndër të tjera ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk i ka trajtuar shqetësimet e BE-së dhe rrjedhimisht të përafrohet me standardet e BE-së.

“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.