Ndërtimtaria, profesioni më vdekjeprurës në Kosovë

Ndërtimtaria në Kosovë, mund të jetë sektori më i lehtë për t’u punësuar, por vazhdon të jetë vendi i punës më i rrezikshëm, pasi vetëm këtë vit 18 punëtorë kanë vdekur duke kryer këtë punë.

Shkaqet kryesore që çojnë në vdekjen e punëtorëve, janë mungesa e kulturës sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, duke mos përjashtuar trajnimin adekuat të punëtorëve që i kryejnë këto punë.

Dy punëtorë, që punojnë në sektorin e ndërtimtarisë në Prishtinë, duke folur në kushte anonimiteti, thonë për Radion Evropa e Lirë, se përveç punëdhënësve, edhe ata vetë janë fajtorë.

“Skelet, në mëngjes janë rrezik. Duhet shpesh të hipim në katin e tetë ose edhe më lart, se tash po ndërtohen objekte edhe më të larta. Problem tjetër mbetet izolimi i skelave me rrjeta mbrojtëse”, thotë një punëtor i një kompanie që merret me ndërtimin e objekteve banesore.

“Nganjëherë i kemi litarët e lidhemi, nganjëherë edhe vetë punëtori nuk e merr litarin, se harron, dhe në atë mëngjes ai është problemi kryesor”, thotë një punëtor tjetër.

Shifrat e vdekjeve në këtë sektor, në pesë vjetët e fundit, janë shqetësuese. Sipas të dhënave zyrtare, 93 punëtorë të ndërtimtarisë kanë vdekur në vendin e tyre të punës, e shumë të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.

Sipas Naim Bajraktarit, kompania e të cilit bën vlerësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, kjo po ndodh për shkak të vetëdijes së ulët për sigurinë në punë.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai përmend disa nga faktorët kryesorë, nga të cilët po rrezikohen këta punëtorë.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe po përsëritet çdo vit. Shumë pak është zbutur edhe këtë vit numri i fatkeqësive dhe të gjitha vijnë nga mosrespektimi i mjeteve(masave) mbrojtëse,prej atyre personale deri tek ato të përgjithshme, që janë skelet, rrethoja e objekteve, skelet sipas standardeve”, thotë Bajraktari.

Problem tjetër, sipas Bajraktarit, është edhe orari i gjatë i punës.

“Një punëtor që punon nga ora shtatë, që ka ardhur nga fshati, është zgjuar në orën pesë dhe e lë punën në orën 18, dhe derisa shkon në shtëpi në ora 20 ose 21,12 – 13 orë punë, ai të nesërmen nuk është i freskët”, thotë Bajraktari.

Kurse, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i ndërtimtarisë është prioritet për Inspektoratin.

Ibrahimi ka treguar se gjatë këtij viti, kanë bërë 1 mijë inspektime vetëm në ndërtimtari. Në muajin e fundit, përkatësisht për dy javë në Prishtinë, sipas tij, janë pezulluar 11 vende punishte dhe janë shqiptuar 14 gjoba, si pasojë e mos krijimit të kushteve për siguri në punë.

Mirëpo, numri i vogël i inspektorëve, vetëm 42 në tërë Kosovën, thotë Ibrahimi, vazhdon të jetë problem për të mbikëqyrur kushtet e punës të punëtorëve.

“Numri i inspektorëve është i vogël, duke e pasur parasysh të gjithë gamën e mbikëqyrjes që e ka inspektorati i punës. Gjithsesi se kjo është një prej faktorëve kryesorë që sot është gjendja kështu dhe për shkak të një mungese permanente të mbikëqyrjes të secilit vend të punës, sepse i kemi 55 mijë biznese që janë aktive”, thotë Ibrahimi.

Edhe vendet tjera fqinje nuk janë më mirë se Kosova sa i përket sigurisë në punë, pasi vdekje në vendin e punës ka edhe në vendet e rajonit. Por numri i lëndimeve të punëtorëve, është më i madh në Kosovë.