Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas deklaratës së tij se “shpëlarja e parave ndodh përmes mafisë së ndërtimit”.
Përmes këtij reagimi, ata i kanë bërë thirrje Kurtit që të mos njollos sektorin më të madh ekonomik.
“Shoqata, i bën thirrje kryeministrit që të mos e njollosë sektorin më të madh ekonomik në Kosovë, ndërmarrësit dhe as punëtorët të cilët me djersën e tyre tullë pas tulle ndërtojnë këtë vend dhe të ardhmen tonë”, shkruhet në reagimin e Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës të publikuar në Facebook nga Faton Hoxha.
Ata kanë kërkuar nga Kurti që nëse ka fakte për deklaratat e tij, atëherë t’ia ofrojë drejtësisë dhe të fillojnë hetimet.
“I bëjmë thirrje po ashtu të gjithë subjekteve të përfshira në zgjedhje që të mos e përdorin emrin tonë për përfitime zgjedhore sepse ne jemi këtu dhe do të jemi edhe në të ardhmen pavarësisht ndërrimit të pushteteve”, shkruhet tutje në reagim.
Kujtojmë se Kurti deklaratat e tij i ka dhënë në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ku ka thënë se Prishtina është kantier i shpëlarjes së parave dhe mafias ndërtimore.
“Po të kishte dal Arben Vitia para disa muajsh dhe të thoshte se nuk garon për Prishtinën, do thoshin ‘ministër si Arbeni nuk ka’ sepse Prishtina është kantieri kryesor i shpëlarjes së parave të mafias ndërtimore dhe ata e dinë që ky nuk lëshon pe, duket i butë por s’mund ta thyesh”, deklaroi Kurti”, ka thënë ai.
Reagimi i plotë:
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës, reagon ndaj deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “shpëlarja e parave ndodhë nëpërmjet mafisë së ndërtimit”.
Shoqata, i bën thirrje kryeministrit që të mos ë njollose sektorin më të madh ekonomik në Kosovë, ndërmarrësit dhe as punëtorët të cilët me djersen e tyre tullë pas tulle ndërtojnë këtë vend dhe të ardhmen tonë.
Nëse, kryeministri Kurti i cili udhëheq gjithë vendin dhe të gjitha institucionet ka fakte për një gjë të tillë, atëherë le të urdhërojë hetime dhe të gjithë ata që janë të përfshirë t’i nxjerr para drejtësisë dhe jo të bëjë deklarata publike politike të cilat dëmtojnë këtë sektor vital të ekonomisë dhe shoqërisë.
I bëjmë thirrje po ashtu të gjithë subjekteve të përfshira në zgjedhje që të mos e përdorin emrin tonë për përfitime zgjedhore sepse ne jemi këtu dhe do të jemi edhe në të ardhmen pavarësisht ndërrimit të pushteteve.
Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore-OEK







