Ndërrimi i drejtorëve në Prishtinë po cilësohet eksperiment i keq

Riemërimi i drejtorëve në komunën e Prishtinës nga partitë opozitare dhe shoqëria civile po konsiderohet si plotësim i pozitave me militant partiak, pa përvojë pune dhe se ky është një eksperiment i keq që në të kaluarën nuk ka dhënë asnjë efekt në ngritje të efikasitetit në dobi të qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet se ndërrimi i drejtorëve nuk pritet të rrit efikasitetin e punës dhe për këtë arsye nuk pritet të ketë sukses.

Asambleistja Vlora Dumoshi thotë se më e pakta 6 muaj do t’iu duhet drejtorëve të rinj për t’u përshtatur me punën e tyre.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje përmes asambleistit, Eman Rrahamani shprehet se ndërrimi i drejtorëve është bërë më shumë për t’i plotësuar tekat dhe interesat e grupeve të caktuara, e jo për të ngritur efikasitetin e punës së atyre drejtorive.

Sipas tij, një drejtor që nuk ka pasur sukses në një drejtori, nuk mund të ketë sukses në një drejtori tjetër.

Këtë, siç thotë ai, e dëshmon efikasiteti i tyre i dobët i secilit prej tyre. Nga iniciativa për progres (INPO), monitoruesi i punës së kryeqytetit, Qëndrim Arifi shprehet se këto eksperimente nuk mund të rritin cilësinë e punës drejtoreve, ndërsa konsideron se nuk kanë dhënë asnjë efekt në të kaluarën.

Njohësi i çështjeve lokale, Rasim Aliaj thekson se gjatë këtij mandati cilësia e drejtorëve në komunë të Prishtinës ka qenë sipërfaqësore vetëm sa për të plotësuar numrin.

Duke përmendur rolin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë mandatit të parë të Ahmetit, Aliaj thotë se pa këtë parti, kryetari i Prishtinës ka hyrë në këtë vallen e pranimit të presioneve nga subjektet e tjera politike.Përkundër insistimit disa ditor të KosovaPress, kryetari Shpend Ahmeti ka qenë i pa qasshëm për t’u deklaruar për këtë çështje./kp