Ndërpritet miqësorja Brescia – Vojvodina, tifozët serbë mësyjnë fansin me flamur shqiptar FOTO/VIDEO

Skuadra italiane nga Serie A, Brescia, ka pasur të planifikuar sot të zhvillojë një miqësore me skuadrën nga Novi Sadi i Serbisë, Vojvodina, por që e njëjta është ndërprerë si pasojë e tifozërisë vojvodinase të cilët mësynë një person që po bartte flamurin shqiptar.

Mediat në Itali raportojnë se fusha e gjelbër u pushtua nga tifozët mysafirë dhe për pasojë ndeshja fillimisht u ndërpre përkohësisht, por më vonë u mor vendimi që ajo të mos vazhdojë, raporton gazeta italiane “giornaledibrescia”.

Ndeshja po zhvillohej në stadiumin e Brescias, në Orzinuovi.

Brescia ishte duke fituar me rezultat 2-1 derisa po zhvillohej minuta e 7 e pjesës dytë, kur ajo u ndërpre si pasojë e hyrjes së tifozëve ‘ultras’ të Vojvodinës në fushë të cilët mësynë një person – i cili ishte jashtë fushës – që po mbante një flamur shqiptar, transmeton Koha.net.

Ndeshja edhe në pjesën e parë u ndërpre për pak minuta, pasi trajneri i Vojvodinës, Nenad Lalatoviq, u ankua në referim, dhe për pasojë ai tërhoqi lojtarët e tij nga fusha. Por ata u rikthyen sërish.

Situata pas incidentit me flamurin shqiptar u qetësua në ndërkohë, mirëpo sulmuesi i Brescias, Mario Baloteli, nga arsye të panjohura, ka refuzuar të vazhdojë ndeshjen, dhe kështu gjyqtari Amabile Daniel vendosi që ndeshja përfundimisht të ndërpritej.

Edhe skuadra nikoqire, Brescia, përmes llogarisë zyrtare në Twitter, kanë konfirmuar ndërprerjen e ndeshjes, pa dhënë ndonjë arsye.

loading…