Rrena e madhe e VV-së, Ndërmarrja Publike Banesore do të padisë për shpifje asamblistin e Vetëvendosjes

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) përmes një komunikate për media, ka thënë se do ta padisë për shpifje, asamblistin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi, pasi ky i fundit mbajti një konferencë për media, ku tha se NPB-ja po tenton manipulimin e një projekti në vlerë 200 milionë euro.

NPB-ja në komunikatë ka thënë se asamblisti Azemi përmes dy konferencave për shtyp ka dëmtuar reputacionin e tyre, ndërsa kanë thënë se tendencës, siç e kanë quajtur ata, do t’i përgjigjen deri në secilin detaj me padi dhe kallëzim penal.

“Shpifja e parë lidhet me vlerën e projektit. Bëhet fjalë për 50% të vlerës së projektit që përfiton Ndërmarrja. Asamblisti në fjalë, për të tingëlluar i saktë e shpiku nga hiqi një vlerë 30% që gjoja e paska përmendur dikush nga aksionarët”, thuhet në komunikatë.

“Shpifja e dytë që u përmend disa herë sot është një mungesë bazike për ta kuptuar procesin. Na u tha se subjekti fitues është regjistruar 1 ditë përpara shpalljes. Opinioni publik duhet ta dijë se bëhet fjalë për 3 kompani nën një konsorcium. Ato kanë dëshmuar se plotësojnë një sërë kriteresh rigoroze, të ndërtimit dhe financiare. Nevoja për t’u bashkuar nën një konsorcium është dëshmi për kritere dhe garanci të larta”.

Tutje, sipas komunikatës, NPB-ja nga prona ku synon ndërtimin, inkason 37 mijë euro, ndërsa sipas tyre pas realizimit të projektit do të rriten në 3.9 milionë euro, ndërsa pasuria e Ndërmarrjes rritet nga 80 milionë në 120 milionë euro, kurse të hyrat e qirasë nga 1.2 milionë në 5.16 milionë euro.

“Roli ynë këtu e dimë se i pengon kompanitë e mëdha të ndërtimit. Ato po i përcaktojnë në mënyrë abuzive çmimet e banesave. Kujt i pengon kjo, llogaritë nuk i ka me qytetin”, thuhet në fund të komunikatës.

Sot, përmes një konference për media para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, tha se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), po synon manipulimin e një projekti që ka vlerën 200 milionë euro.

Ai ngriti dyshime për njërën nga kompanitë fituese të projektit, duke thënë se është regjistruar në ARBK, një ditë para se të shpallet thirrja nga NPB-ja.