Prishtinë

Nderimi për Clintonin dhe Albrightin nëpërmjet fotografive në 20 vjetorin e çlirimit

Në ditën e madhe për popullin e Kosovës, në 20 vjetorin e çlirimit e ndërhyrjes së Nato-s, në vizitë zyrtare kanë qëndruar ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright.

Në agjendën e 20 vjetorit të lirisë ishte edhe aktiviteti “Ecja për Liri”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në kuadër të aktivitetit “Ecja për Liri”, mori pjesë edhe në përurimin e bustit të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj, mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës me emrin “Bulevardi Bill Klinton”, e cila u bë afër shtatores së presidentit Clinton në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar qytetarët e Kosovës që sot festuan me dinjitet dhe qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“Populli i Kosovës, qytetarët tanë, institucionet tona, të ndërtuara në shtetin e lirë të Kosovës, sot iu bashkuan me dinjitet dhe festuan me qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të NATO-s, ashtu siç e meriton, një vend i lirë, demokratik dhe i rreshtuar përkrah aleatëve tanë. Faleminderit qytetarë të dashur. Faleminderit Kosovë!”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Po ashtu në zbulimin e bustit të Albright ishte pjesëmarrës edhe presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi ka shkruar se Kosova është e bekuar me miqësinë amerikane.

“Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, sot iu shtua edhe busti i sekretares Albright dhe pllaka e bulevardit “Bill Clinton”. Bashkë me shtatoren e presidentit Clinton, rrugët Bush dhe Dol, ne po e përjetësojmë admirimin e popullit të Kosovës për kontributin përcaktues të SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë tonë. Jemi të bekuar me miqësinë amerikane”, ka shkruar ai në FB.