Takimi

Ndërhyrja e QUINT’it, Vjosa Osmani tregon se në çfarë formati mbahet nesër takimi

Në takimin e nesërm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUNTI’it dhe të Bashkimit Evropian. Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka treguar për Gazetën Express se në çfarë formati do të mbahet takimi i nesër.

Negociatat vazhdojnë edhe nesër, në praninë e përfaqësuesve e QUINT’it dhe BE’së, e Osmani tregon se ky takim do të jetë ‘informativ’.

Sic tregon nënkryetarja e LDK’së, në takimin e nesërm nuk pritet të ndërmjetësojnë vendet e QUINT’it për arritjen e marrëveshjes.

“Takim informativ, ashtu ka qenë ideja kur e diskutuam”, ka thënë Osmani për Express.

Osmani ka treguar se ka qenë kërkesë e përbashkët e LDK’së dhe e Lëvizjes Vetëvendosje për të zhvilluar takim në praninë e ambasadorëve të QUINT’it.  

Takimi që zgjati më shumë se dy orë sot në Kuvendin e Kosovës nuk rezultoi me marrëveshje për formimin e Qeverisë mes LDK’së e VV’së.

LVV njoftoi se në takimin e nesërm përveç dy delegacioneve të dy partive, marrin pjesë edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, bashkë me shefen e misionit të BE’së në Kosovë, Natalya Apostolova.