Ndërhyrja e NATO-s, Kurti nga Gllogjani: Së pari pushka e UÇK-së, pastaj avionët

Kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar sot ka bërë homazhe në Gllogjan të Deçanit.

Ai ka folur për Epopenë e Dukagjinit dhe ndërhyrjen e NATO-s.

“24 marsi i Epopesë së Dukagjinit dhe ndërhyrja e NATO-s na tregojnë rendin e logjikshëm të gjërave. Së pari pushka jonë, pastaj avionët, ngjashëm edhe sot, puna jonë dhe pastaj edhe ndihma prej jashtë, për zhvillim, demokratizim e drejtësi”, tha Kurti.

Ai tha se dëshmorët dhanë gjithçka që sot Kosova ta ketë lirinë.

“Në ditë të shënuara si kjo, ne bëjmë nderim për dëshmorët e kombit, ata që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë dhe të mund të përparojmë”, tha Kurti.